Kompania “Demaj ING”, që është në pronësi të Ari Demajt, djalit të Drejtorit të Drejtorisë për Emergjenca, Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Istogut, Xhevat Demaj, ka fituar një tender prej 586 mijë eurosh nga Komuna e Istogut që udhëhiqet nga Ilir Ferati i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Vendimi për shpërblimin me kontratë të lëshuar nga autoriteti kontraktues, në këtë rast Komuna e Istogut.

Projekti ka të bëjë për rehabilitimin e kanalit të Gogës, nga Penda deri në Gurrakoc, si pjesë e konsorciumit me Guri Group dhe Agro Invest 1.

Ky projekt dy vjeçar, që u dha me datë 26 shtator të këtij viti u përzgjodh me arsyetimin se kompania kishte ofruar çmimin më të ulët.

“Ju njoftojmë se ju keni dorëzuar tenderin me çmimin më të ulët si përgjigje ndaj njoftimit të kontratës për aktivitetin e prokurimit të lartcekur, për aktivitetin në fjalë. Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar në tenderin tuaj dhe në pajtim me afatet dhe kushtet e dosjes së tenderit”, thuhet në vendimin për shpërblimin me kontratë të lëshuar nga autoriteti kontraktues, në këtë rast Komuna e Istogut.

VOX Kosova ka kontaktuar me Drejtorin Demaj, mirëpo ai ka mohuar që të ketë ushtruar ndikim që kompania e djalit të tij të përfitojë projekt nga komuna që udhëhiqet nga Ferati, bashkëpartiaku i tij në LDK.

“Jo absolutisht. As s’jam marrë me atë punë. Unë jam në politikë qe 35 vjet, asnjëherë nuk kam ndikuar në asnjë proces këtu”, ka thënë ai për VOX Kosova.

I pyetur nëse është korrekte që djali i tij të marrë projekte nga komuna, ai thotë se “nuk ka kurrgjë korrekte në Kosovë sot, fatkeqësisht”, derisa nuk mendon se ka konflikt interesi në këtë çështje.

“Çfarë konflikt interesi është? Ka të drejtë njeriu me marrë. Unë me biznes merrem prej viteve 90-ta edhe është puna e parë që është marr thuaja për këto katër vite që jam drejtor këtu”, shtoi ai.

Madje ai thotë se këto janë praktika të zakonshme në Istog, ku drejtorët e komunës kanë përfituar miliona euro ndër vite nga projekte të tilla.

 “Kjo është një dezinformatë e njerëzve dashakeq. Ka këtu drejtorë prej themelimit pas lufte që kanë marrë miliona tenderë, po s’i përmend kurrkush. Unë jam pak më në zë këtu se jam njeriu më kritik në Komunën e Istogut e së pari e kritikoj LDK-në më së shumti, pastaj tjerat”, pohoi.

VOX Kosova tentoi të marrë një përgjigje edhe nga Kryetari i Komunës, Ilir Ferati, por e pati të pamundur.

Ai fillimisht kërkoi më shumë kohë për t’u informuar lidhur me çështjen.

“A m’i jep 5 minuta kohë për me i marr informatat dhe me të thirr mbrapa dëgjohemi pas pesë minuta, dhjetë, më së shumti”, ka thënë Ferati, në një përgjigje për VOX Kosova.

Pas disa minutave e kontaktuam përsëri. “Veç deri të vjen shefi i prokurimit në zyre”, potencoi ai.

Por, Kryetari Ferati nuk iu përgjigj më thirrjeve e mesazheve të redaksisë, ndonëse premtoi se do të fliste për këtë çështje.

Njëjtë si babai, edhe djali i tij Ari Demaj, pronari i kompanisë Demaj ING, mohon që të ketë ndikuar i ati që biznesi i tij të shpërblehet nga komuna me tender qindra mijëra euro.

“S’ka pas çka me ndiku ai aty”, tha ai për VOX Kosova, derisa e konsideron plotësisht korrekte që të marrë projekte në komunën, ku babai i tij është drejtor.

“Edhe na duhet me hangër bukë”, deklaroi ai, duke shtuar se “edhe është tenderi i parë pas disa kohe që e kemi fituar edhe atë me qyk të zorit”, pohoi ai.

“Nuk luan rol kurrgjë që është babai im drejtor”, insiston ai.