Albin Kurti është i interesuar që në Kosovë të mos ketë asnjë fuqi opozitare – kur ai qeveris.
Në një deklaratë për vizitën e tij në Gjilan, Kryeministri në detyrë ka shprehur dëshirën e tij që “t’i mbyllen të gjitha shtigjet opozitës”.

“E më 7 qershor le t’i kalojmë 500 mijë vota dhe ta shënojmë fitoren e radhës, edhe më të madhe e vendimtare, që t’i japim shtetit tonë institucione funksionale e t’ia mbyllim bllokut opozitar shtigjet të cilat po i shfrytëzojnë për ta mbajtur shtetin peng”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Për këtë deklaratë të Kurtit, ka reaguar Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Ajo ka shtruar pyetje për Kurtin lidhur me vështirësitë e qytetarëve.

“Albini qenka i preokupuar me ia mbyllë shtigjet opozitës… Albin, lëre opozitën. Koncentrohu te qytetari. A ke me ua hapë shtigjet qytetarëve për një jetë më të mirë? Për çmime më të ulëta? Për arsim më cilësor? Për barna për të sëmurët? Për pensione dinjitoze? A ke me ia hapë shtigjet Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së?”, ka shkruar ajo.

Dëshirën e tij që të mos votohet opozitë në Parlament, Kurti e kishte shprehur edhe në seancën e fundit të Kuvendit, 28 prill 2026 – ku nuk u arrit të zgjidhej presidenti.

“Shpresoj e besoj që votuesit e tyre këtë mungesë të tyre do ta shndërrojnë në mungesë të përhershme, ashtu që ata të mos kenë nevojë të bojkotojnë, sepse nuk do të munden as të vijnë këtu”, deklaroi ai.