Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, i kanë shprehur ngushëllime Salih Mustafës për vdekjen e babait. Organizata e Veteranëve të Luftës përmes një njoftimi për media e ka bërë të ditur këtë.

“Të nderuar qytetarë, sapo kemi pranuar një telefonatë nga Haga, nga bashkëluftëtarët tanë që po mbahen atje, të cilët na kërkuan që përmes nesh, si OVL UÇK, t’i përcjellim ngushëllimet e tyre për familjen Mustafa”, thanë nga OVL.

“Në emër të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Salih Mustafës, Pjetër Shalës, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakajt”, shton.

Jahja Mustafa, babai i ish-komandant “Calit” ndërroi jetë sot pasi që një kohë ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Eprorit të UÇK-së, sipas OVL-së iu refuzuan të gjitha kërkesat për vizitë gjatë kohës që ai ishte i sëmurë.