Ndërtimi i aktakuzës nga Prokuroria Speciale është një konstruksion i krijuar nga lloçi i ricikluar serb, por nuk e kam menduar ndonjëherë se do të ketë një tjetër formacion që me akrobaci që sfidojnë kufijtë e durimit do t’ia kalonte edhe vetë Serbisë.

Përkundër pritjeve të mia, Prokuroria brenda kësaj ndërtese e bëri.

Kjo prokurore po thotë se lufta për çlirim e pavarësia nuk ishin qëllimi, por vetëm parakusht për krijimin e rrethanave të përshtatshme për të shtrirë kontroll e kryer krime më pas.

Pra, krimi qëllim, çlirimi pasojë. Ose shtrirja e kontrollit qëllim e pavarësia pasojë.

Dhe 14 mijë të vrarët në luftën e fundit në Kosovë, shumica absolute shqiptarë.

Gra, të moshuar e fëmijë të pambrojtur e të masakruar.

20 mijë vajza e gra të përdhunuara si armë lufte.

Rreth 1 milion të dëbuar e mijëra të zhdukur edhe sot, sipas një logjike të përmbysur nuk qenkan tragjedi, por paramendim brenda një projekti të çmendur për shtrirje kontrolli.

Fjalia e kësaj prokurore është qeliza fillestare për atë që nëse merr formë përfundimtare me dënimin e krerëve të UÇK-së nuk ndalet te individët, por zgjatet mbi vetë thelbin e luftës për liri.

Hapet dhe ridiskutohet gjithçka, arsyet e rezistencës, legjitimiteti i çlirimit, ndërhyrja e NATO-s, shpallja e pavarësisë dhe në fund të fundit edhe vetë ekzistenca e shtetit.

Prandaj, s’janë në gjyq disa emra, por e vërteta historike e popullit.