4 milionë e 509 mijë euro shpenzoi Lëvizja Vetëvendosje veç gjatë vitit 2025, partia që dikur thoshte se mban shpirtin me donacione të vogla nga populli.
Sipas raportit financiar të publikuar së fundmi, veç në fushata zgjedhore, partia në pushtet harxhoi hiç më pak se 2 milionë e 731 mijë euro. Më shumë se secila parti tjetër e gati më shumë se të gjitha të tjerat bashkë.
Dikur me gjuhë të ashpër ndaj kapitalit e oligarkëve, Vetëvendosja është shndërruar në partinë që noton në luks, derisa standardi i qytetarëve bie me inflacionin që gërryen mirëqenien.
Fisnikë e dorëlirë, milionerët e Vetëvendosjes u treguan edhe me mediat, ndryshe nga sa gënjente kryeministri para kamerave.
95 mijë euro iu dhanë grupit “Koha”, themeluesin e të cilit, bashkë me vajzën e tij, Kurti i ka këshilltarë.
Plot 13 mijë euro u ndanë për një medium fantom me emër formal “Kosovanews”, i cili dyshohet se mirëmbahet për qëllime propagandistike nga tash zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka. Mijëra euro të tjera i shkuan edhe Radio Televizionit të Kosovës.
Në anën tjetër, shumë marramendëse Vetëvendosja shpenzoi për sponsorizime në Facebook, plot 48 mijë euro.
Pa pagesë, nuk mbeti as organizata që Kurti kërkonte hetim për të.
Ajo që ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën, duhet hetuar e hulumtuar.
Kompania “UBO Consulting”, për shërbimet që ia dha Vetëvendosjes u pagua 25 mijë euro vitin që shkoi.
Një tubim tjetër i të parit të Qeverisë dhe vartësve të tij me rininë në klubin e natës “GATE”, kësaj partie i kushtoi 15 mijë euro të tjera.
Si përfundim, Vetëvendosja shpenzoi dyfish më shumë se sa fitoi, apo 2 milionë e 323 mijë euro më tepër se që pati të hyra.
E lideri që dikur i numëronte centët e të tjerëve, sot s’ti bën hesap milionat.








