Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu, ka njoftuar se LDK me përkrahjen e deputetëve të PDK-së dhe AAK-së, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme në Kuvend për çështjen e rritjes së çmimit të naftës.
Ajo ka paralajmëruar për përkeqësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve, duke theksuar se çmimet janë në rritje të vazhdueshme, ndërsa institucionet nuk po reagojnë.
“Nafta po shtrenjtohet çdo ditë. Çmimet po rriten. Derisa qytetarët po varfërohen. E Qeveria? Spektatore. Kërkojmë veprime të menjëhershme, transparencë dhe masa konkrete. Qytetarët nuk janë bankomat i Qeverisë!”, ka shkruar ajo.
Opozita ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente dhe masa konkrete për të përballuar rritjen e çmimeve dhe për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve.









