Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë për mënyrën se si po trajtohen punëtorët e sektorit publik dhe ata të sektorit privat, duke vënë në pah situatën e punëtorëve teknikë të shkollave, të cilët, sipas saj, vazhdojnë të paguhen me nga 390 euro në muaj.

Bajrami ka thënë se, ndonëse paga minimale prej 500 eurosh bruto ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2026, kompanitë private të kontraktuara nga komunat nuk po e zbatojnë këtë vendim.

“E dhimbshme t’i shohësh punëtorët teknikë të shkollave në grevë për një të drejtë krejt elementare siç është paga minimale”, ka shkruar ajo.

Deputetja e LDK-së i ka bërë thirrje Inspektoratit Qendror të Punës që të ndërmarrë masa ndaj kompanive që nuk e respektojnë vendimin për pagën minimale.

Ajo ka kritikuar edhe ndarjen e rreth 130 milionë eurove për pagën e 13-të në sektorin publik, përmes rishikimit të buxhetit, duke e krahasuar këtë vendim me gjendjen e punëtorëve teknikë që, sipas saj, nuk e marrin as pagën minimale.

“Qeveria duhet të sigurojë zbatimin e vendimeve të veta, komunat duhet të marrin përgjegjësi për kontratat e tyre, ndërsa kompanitë private duhet t’i respektojnë të drejtat e punëtorëve”, ka shkruar ajo.

Në fund, Bajrami ka rikujtuar se paga minimale është obligim ligjor dhe jo çështje zgjedhjeje për punëdhënësit.