Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me mbështetjen e Policisë së Kosovës, ka vazhduar aksionin për rrënimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë të kundërligjshme përgjatë Liqenit të Ujmanit.

Në terren janë inspektorët e MMPHI-së, të cilët po ndërmarrin veprime për largimin e objekteve të ndërtuara në pronë publike, ndërsa Policia e Kosovës po ofron mbështetje gjatë zhvillimit të aksionit.

Sipas autoriteteve, ndërhyrja po bëhet në kuadër të mbrojtjes së pronës publike dhe zbatimit të vendimeve për objektet që janë ndërtuar pa leje në zonën përreth Liqenit të Ujmanit.

Ky aksion vjen pas ndërhyrjes së bërë ditë më parë në të njëjtën zonë, kur u rrënuan 11 vila të ndërtuara ilegalisht.

Edhe ai aksion ishte realizuar me kërkesë të Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, pasi objektet ishin ngritur në pronën e kësaj ndërmarrjeje.

Autoritetet kanë bërë të ditur se veprimet për lirimin e pronave publike do të vazhdojnë edhe në raste të tjera kur konstatohet ndërtim pa leje ose shfrytëzim i kundërligjshëm i hapësirave publike.