Policia e Kosovës ka njoftuar se tre nga katër personat e plagosur në Podujevë si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë lidhje familjare.
“Po, kanë lidhje familjare. Ky mund të jetë motivi, por saktësisht për motivin nuk mund të themi ende asgjë”, ka thënë Basri Shabani, nënkolonel në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
Ai tha se njëri prej të plagosurve është një kalimtar i rastit.
“Sot rreth orës 14, stacioni policor i Podujevës ka marrë informacion se në shesh janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Njësitet relevante iu kanë përgjigj rastit, kanë dal në vendin e ngjarjes dhe si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit janë të plagosur katër persona, tre të cilët kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në incident dhe një kalimtar i rastit fatkeqësisht. E, i cili për fat të mirë ka lëndime të lehta trupore”, shtoi ai.
Shabani theksoi se janë në fazën e parë të grumbullimit të informacioneve dhe për këtë arsye nuk mund ta tregojnë motivin.
“Për motivin nuk mund të them ende sigurt për arsye se jemi në fazën e parë të grumbullimit të informacioneve dhe posa ta kuptojmë motivin me siguri se do të iu njoftojmë”.
Ai theksoi se të plagosurit po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Në informacionet që i kemi në bazë të incizimeve që i kemi nxjerrë nga vendi i ngjarjes tre personat, të cilët kanë qenë drejtpërdrejt të përfshirë janë të lënduar me armë zjarri siç e potencova dhe të njëjtit po trajtohen për momentin në urgjencën e QKUK-së në Prishtinë”.









