Ministri në detyrë i Financave dhe deputeti Hekuran Murati – i njohur kryesisht për reagime në fushën e kushtetutshmërisë – e ka kritikuar Komunën e Prishtinës “se nuk paska punuar jashtë orarit zyrtar të punës”.

Krejt kjo për një kërkesë të kryeqytetit që t’i alokohet buxheti për dhjetor, në mënyrë që të mos bllokohet Trafiku Urban dhe pagesa të tjera që lidhen me shërbime të tjera komunale.

“Të premten pasdite, Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike. Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që, përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishte përfunduar orarin dhe nuk e kishte kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se ‘i kryejmë të hënën’. Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm”, ka shkruar ai.

Por, me gjasë, Murati ka harruar se jashtë orarit të punës kishte deklaruar vetë se nuk punonte as ministria e tij. Këtë arsyetim e kishte përdorur kur i kishte shkuar një kërkesë nga e para e shtetit, Presidentja Vjosa Osmani.

Më 3 prill, Presidentja e Kosovës i kërkoi atij që të pezullonte krejt tarifat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Murati ishte arsyetuar se kërkesa ishte bërë jashtë orarit zyrtar.

“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë”, do të shkruante muaj më parë Murati.

Të dielën, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar edhe një herë Qeverinë për bllokim të buxhetit të komunës.

“Për herë të parë në historinë e Kosovës po ndodh që Qeveria qendrore t’i bllokojë të hyrat vetanake Kryeqytetit. Shërbime jetike të Kryeqytetit – ushqimi në shkolla, transporti publik, shëndetësia, ndihmat sociale – janë në prag të ndërprerjes. Bëhet fjalë për funksione elementare të qytetit tonë, për mirëqenien e fëmijëve, të moshuarve dhe familjeve tona”, tha dje ai në një konferencë për shtyp.

Rama deklaroi se 35 milionë euro, prej të cilave 25 milionë euro të hyra vetanake dhe 10 milionë të grantit qeveritar, janë bllokuar nga Ministria e Financave, sipas tij, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.

“Për këtë arsye, kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë Hekuran Murati dhe ndaj zyrtarëve përgjegjës të Ministrisë së Financave për shkelje të qarta të ligjit. Jemi drejtuar Kryeministrit në detyrë, Presidentes dhe kemi kërkuar shqyrtim urgjent edhe nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë, qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga dhe shërbimet bazike janë në rrezik serioz e të menjëhershëm”, ka thënë Rama.