“Derisa është në Vetëvendosje ne nuk kemi votë për to”, ka thënë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, kur është pyetur nëse partia që ai përfaqëson do ta mbështesë Andin Hotin, Ministër aktual për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, për President, pas raportimeve se ai mund të jetë i propozuari i VV-së për pozitën e të parit të shtetit.

“Ne e respektojmë çdo familje të respektuar. Edhe Andini edhe që e kam edhe pasë koleg, por besoj që dihet që ai është vartës i partisë në pushtet dhe sigurisht që derisa është në Vetëvendosje ne nuk kemi votë për to”, tha Lushtaku në një prononcim për gazetarët.

Ai theksoi se kanë qenë për një kandidat konsensual, posaçërisht për dikënd nga Familja e Komandantit legjendar, Adem Jashari.

“Kemi qenë pro që të kemi një kandidat konsensual për President, por atë nuk e patëm deri më tani. Kemi qenë me zemër që nëse është dikush nga familja Jashari që të jemi për, por e pamë rrjedhojën dhe ne i respektojmë qëndrimet e tyre”, shtoi.