Kushtrim Xhemaili, zëdhënës i AAK-së, ka deklaruar se partia e tij ka qëndrim të prerë për shkuarjen në zgjedhje dhe kjo është marrë në mbledhjen e kryesisë së partisë që u zhvillua këtë të enjte.

Xhemaili ka shtuar se AAK nuk ka votë për një qeveri të Glauk Konjufcës, mandatari të dytë për krijimin e qeverisë, dhe nuk bën koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Reagimi i Xhemaili rikonfirmon pozicionin e AAK-së pas disa deklaratave të anëtarit të kryesisë, Besnik Krasniqi, lidhur me një marrëveshje politike me VV-në që do ta bënte Ramush Haradinajn president.

“AAK ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë të enjten, ku ka dalë me qëndrim të prerë, rrugëdalja e vetme nga gjendja në të cilën ndodhet vendi është shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Të gjithë ata që dalin në publik me ide të tjera, së pari është dashur t’i prezantojnë në mbledhje të Kryesisë, sikurse rasti i z. Besnik Krasniqit, i cili ka munguar në atë takim. Nuk ka koalicion me VV, nuk kemi votë për Konjufcën dhe askënd nga radhët e tyre”, ka shkruar Xhemaili