Lista Studentore në Serbi, me të cilën ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, pret të bashkëpunojë për çështje politike, e konsideron Kosovën “pjesë përbërëse të Serbisë” dhe “shtyllë të identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor”.

Këtë qëndrim e ka përsëritur kandidati i kësaj liste, Fegja Dimoviq, pas vizitës që ai, së bashku me pesë kandidatë të tjerë dhe përfaqësues të lëvizjes studentore, zhvilloi në Kosovë gjatë fundjavës.

Lista Studentore ka deklaruar se për Kosovën do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron atë pjesë të territorit të saj.

Qëndrimi i kësaj liste për Kosovën vjen në kohën kur ministri Nenad Rashiç, në një intervistë për Gazetën Express, është shprehur optimist për bashkëpunimin me të dhe ka thënë se Qeveria e Kosovës është më e gatshme për të lëvizur drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Rashiç ka propozuar gjithashtu që çështja e njohjes së Kosovës nga Serbia të lihet anash për momentin, ndërsa të punohet fillimisht në zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve.

Ai ka thënë se pret një qasje ndryshe nga Lista Studentore, duke e krahasuar atë me Partinë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit, por deklaratat e fundit të përfaqësuesve të kësaj liste për Kosovën tregojnë se qëndrimi i tyre për statusin e saj mbetet i njëjtë.