Zyrtari i parë i lartë institucioneve shtetërore që Kryeprokurori i ri, Zejnulla Gashi, e priti në takim është drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni. Ky i fundit, qysh në vitin 2019 ishte zyrtarizuar si anëtar i Vetëvendosjes. Më pas, ishte edhe kandidat për deputet i partisë së Albin Kurtit. Drejtor i ATK-së, Hyseni u bë një vit më parë, në gusht të 2025-ës.

Sistemi Prokuroral, në njoftimin dhënë për takimin, tha se u diskutua “për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në trajtimin efikas të çështjeve të përbashkëta në luftimin e veprave penale të pastrimit të parave, evazionit fiskal, si dhe luftimin e të gjitha formave të tjera të kriminalitetit financiar”.

Kush është Zejnulla Gashi, Kryeprokuror i ri në Kosovë:

“Ministre, dua të sqaroj një situatë. Kam dëgjuar thashetheme se Lavdim Krasniqi është duke u ndjekur penalisht për inati tuaj. Por këtë nuk e kam për inatin tuaj.”

Servilshëm, këto fjalë ia kishte thënë, krejt jozyrtarisht, Albulena Haxhiut, Zejnullah Gashi, personi që mori më së shumti vota dhe u propozua për Kryeprokuror të Shtetit, të cilin pritet ta dekretojë pikërisht Albulena Haxhiu, tash në cilësinë e U.D. së Presidentes.

Gjithçka duket si rastësi, por nuk është.

Ja pse.

Pushteti i Vetëvendosjes, për pesë vjet, e sulmoi brutalisht sistemin prokurorial, nga deklaratat më të thjeshta deri te mosdekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit, duke e lënë vendin pa këtë pozitë kyçe për ato vite.

Në momentin që morën në dorë Presidencën, e detyruan Këshillin Prokurorial të hapte konkurs të ri, pa e mbyllur paraprakun, dhe dalëngadalë po e zotërojnë edhe këtë hallkë të rëndësishme, sistemin prokurorial.

Kjo përbërje e re e Këshillit, për herë të parë gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, u takua me Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën një javë para se të votohej për emrin e Kryeprokurorit të Shtetit, në procesin më të rëndësishëm të drejtësisë.

Prokurori që feston krah Glauk Konjufcës, Faton Pecit dhe Blerim Gashanit, pikërisht nga kjo përbërje e re e Këshillit i mori pesë vota dhe u dekretua brenda 24 orësh nga u.d e Presidentes, Albulena Haxhiu.