Ilija Srdanoviç, bartës i Listës së Studentore, e cila fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi, duke i dhënë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandër Vuçiç-it, ka thënë se Lista Studentore do të vazhdojë dialogun me Kosovën, por nuk ka dhënë një qëndrim të qartë sa i përket ekstradimit të terroristit Milan Radojiçiç në Kosovë.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Srdanoviç ka thënë se do t’i respektojnë marrëveshjet e dakorduar nga Qeveria e mëparshme, përfshirë atë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Vazhdimi i dialogut për çështjen e Kosovës është pjesë themelore e planit studentor”, tha Srdanoviç.

Kur u pyet se mbetën të përkushtuar ndaj dialogut dhe zbatimit të plotë të marrëveshjeve, ai tha “absolutisht”. “Mbetemi të hapur dhe lëmë hapësirë për dialog të hapur dhe për zgjidhjen e çështjeve, para së gjithash, në interes të qytetarëve tanë dhe të të gjithëve në bashkësinë ndërkombëtare”.

“Kjo do të thotë se ne, si shoqëri dhe si pushtet i përgjegjshëm, në të ardhmen do t’i respektojmë protokollet e dakorduara ndërkombëtarisht”, theksoi ai kur u pyet për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit, por paralajmëroi edhe se marrëveshjet mund të rishqyrtohen.

“Të gjitha protokollet që zyrtarët tanë kanë dakorduar në emër të Serbisë mund të rishqyrtohen për të përcaktuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë”.

Sa i përket pyetjes se a janë të gatshëm që të takohen me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Srdanoviç deklaroi se ende nuk e kanë marrë mandati dhe “nuk jemi në pushtet në Serbi”.

“Për çdo çështje që ka rëndësi të madhe strategjike për shtetin, kombin dhe qytetarët tanë, do të marrim vendim më vonë, pasi të formohet Qeveria”.

Srdanoviç nuk pati një përgjigje të qartë nëse do ta ekstradojë në Kosovë kryekriminelin Milan Radojiçiç, duke thënë se nuk mund të jap një qëndrim në këto momente.

“Në këtë moment nuk mund t’ju jap një vendim, madje as një qëndrim personal për këtë çështje, sepse jam vetëm një nga anëtarët e listës që ende nuk e ka formuar Qeverinë. Por, sigurisht që do të përpiqemi që vendimet për të gjitha çështjet e tilla të merren më vonë, në përputhje me procedurat ligjore që vlejnë në Republikën e Serbisë”, potencoi ai.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi u mbajtën të dielën e 25 tetorit. Ato u fituan me mbi 50 për qind të votave nga Lista Studentore.

Kështu, Aleksandër Vuçiç, që ishte kandidat për Kryeministër, humbi pushtetin pas 14 vjetësh.