Ka dështuar mbledhja e Komisionit për Ekonomi në Kuvend në të cilën pritej të raportonte bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në lidhje me tarifat e reja. Kjo për shkakun se s’pati kuorum të vazhdohet tutje pasi që deputetët e Vetëvendosjes aty nuk morën pjesë. Prezent nuk ishin as përfaqësuesit e ZRRE-së.
Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, një situatë e tillë është “orkestrim i deputetëve të pushtetit që të mos lejojnë raportimin e ZRRE-së në Kuvend”.
“Gjithashtu ka raportime që janë të konfirmuara tashmë ndërkombëtarisht për rregullatorin e rremë e që ka të bëjë edhe me emërtimin e tjetër me Elektroprivredën e Serbisë. Pra, kjo nuk është veç çështje financiare, është edhe çështje sigurie, me të cilën ZRRE-ja duhet të përgjigjet edhe duhet të tregojë se sa edhe si po punon te kjo pikë”, tha Janina Ymeri, deputete e LDK-së.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës tha se “qytetarët duhet të kenë përgjigje se çka po ndodh me afatin ligjor të 1 prillit kur do të duhej të rishikoheshin tarifat e reja” dhe se “është shqetësuese mungesa e deputetëve të Vetëvendosjes”.








