Lëvizja Vetëvendosje, partia që shpenzoi 4 milionë e 509 mijë euro vetëm gjatë vitit 2025, po kërkon para edhe prej qytetarëve për të mbështetur fushatën e tyre për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Përmes një postimi në Facebook, nga VV-ja kanë thënë se “Lëvizja, si çdo herë, ka nevojë për ndihmën tuaj”. “Për të mbështetur aktivitetet e vullnetarëve, organizimin e tubimeve dhe mbrojtjen e votës, secili donacion sado i vogël ndihmon jashtëzakonisht shumë”.

Sipas të dhënave zyrtare, Vetëvendosja e Albin Kurtit, në vitin 2025 shpenzoi 4 milionë e 509 mijë euro.

Kjo shifër është gati trefish më e madhe krahasuar me shpenzimet e një viti më parë (2024), të cilat ishin 1 milion e 805 mijë euro.

Partia e Kurtit shpenzoi më shumë se të gjitha partitë tjera: PDK gjithsej 2 milion e 166 mijë euro, LDK gjithsej 1 milion e 335 mijë e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me harxhime gjithsej 531 mijë euro.

Në total, në fund të vitit, Vetëvendosje ka dalë në deficit plot 2 milionë e 323 mijë euro. Pra, kishte 2 milionë e 185 mijë euro të hyra, gjersa shpenzoi 4 milionë e 509 mijë euro. Për paga e kompensime tjera, VV-ja ka shpenzuar gjithsej 929 mijë euro; për transport 132 mijë euro e për reklama, reprezentacion e konferenca gjithësej 297 mijë euro.

Një pjesë të majme të parave, LVV e dha edhe për reklama në media. Sipas të dhënave, për Grupin “Koha” u dhanë 95 mijë euro, për “Kosovaneës” 13 mijë euro e për RTK-në 11 mijë e 530 euro. 5 mijë euro u dhanë gjithashtu edhe për portalin “Telegrafi”.

Pagesë nga Vetëvendosje, edhe në vitin 2025 mori kompania e sondazheve “UBO Consulting”, e cila pas EXIT POLL-eve në zgjedhjet lokale në Mitrovicë, nga ky subjekt politik ishte shënjestruar dhe ishte vendosur në qendër të sulmeve.

Për të madje Kryeministri Kurti kërkonte edhe hetim. Por, në 12 muajt e vitit të kaluar kjo kompani nga partia e të parit të Qeverisë përfitoi 25 mijë euro për shërbimet e veta.