Dogana e Kosovës ka zbuluar 63 mijë e 400 euro të padeklaruara gjatë kontrollit të një autobusi në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare.
Sipas Doganës, zyrtarët doganorë kanë kryer kontrolle të detajuara të autobusëve që hynin në territorin e Kosovës. Gjatë kontrollit të një autobusi që qarkullonte në relacionin Gjermani–Kosovë, janë gjetur 63 mijë e 400 euro, të cilat ishin fshehur në bagazhin personal të drejtuesit të autobusit.
Mjetet monetare janë ndaluar, ndërsa rasti është iniciuar për trajtim të mëtejmë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës ka rikujtuar udhëtarët se bartja e mjeteve monetare përtej kufirit duhet të deklarohet, në përputhje me kërkesat ligjore.
Sipas Doganës, kontrollet e shtuara do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit dhe luftimit të bartjes së paligjshme të parave dhe formave të tjera të kriminalitetit ndërkufitar.









