“Nuk është vetëm aktgjykimi që është i padrejtë. Është vetë gjykata”.

Kështu ka thënë profesori amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer, pasi që Gjykata Speciale dënoi me rreth një shekull burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se amerikanët dhe evropianët, si insistues të themelimit të kësaj Speciales dhe financues të saj, “duhet të ndihen të turpëruar”, pasi që theksoi se ata e kanë kriminalizuar një lëvizje çlirimtare.

“Ata e kanë kriminalizuar një lëvizje çlirimtare që e kishin mbështetur dhe e kanë reduktuar drejtësinë ndërkombëtare në hakmarrje politike. Por, ata kanë vazhduar përpara dhe nuk do t’i kushtojnë shumë vëmendje kësaj. Ky është edhe një mësim tjetër se pse nuk duhet të jesh tepër miqësor me Uashingtonin dhe Brukselin”, pohoi Serwer.

Serwer ka përmendur faktin se Specialja ishte krijuar për të hetuar akuzat e shpifura për trafikim organesh dhe ndërkohë përfundoi duke u furnizuar me të ashtuquajtura prova dhe materiale nga Serbia.

Dënimi i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëluftëtarëve të tij, Serwer tha se po ndodh në një kohë kur Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po shpall zgjedhje që të bëhet Kryeministër që kështu t’i tejkalojë protestat.

“Kjo po ndodh ndërkohë që Aleksandër Vuçiç po jep dorëheqjen nga presidenca e Serbisë për t’i tejkaluar protestat dhe për të shmangur kufizimin e mandateve. Ai ka shpallur zgjedhje, për të cilat do të sigurohet që partia e tij të fitojë, duke u bërë më pas kryeministër. Vuçiç ishte Ministër i Informacionit në qeverinë e Sllobodan Millosheviç-it gjatë periudhës kur, sipas gjykatës, Thaçi ka kryer krimet e tij”, shkroi ai.

Serbia e Vuçiç-it, rikujtoi se javën e kaluar e varrosi Ratko Mlladiç-in, i dënuar për gjenocid nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, me nderime të larta shtetërore.

Në këtë drejtim, Serwer thekson se kontrasti është i vështirë të mos vihet re.

“Një President i Kosovës, i cili ishte përpjekur t’i mbronte bashkëqytetarët e tij nga shtypja serbe, ndodhet në burg. Serbia po fuqizon një politikan që shërbeu në Qeverinë që sulmoi civilët në Kosovë dhe po nderon autorin e krimeve edhe më të rënda në Bosnje”.

Si ndodhi kjo, pyet ai, për t’u përgjigjur se kjo ndodhi sepse Kosova, dhe Thaçi në veçanti, “iu nënshtruan presionit të fortë amerikan dhe evropian për krijimin e kësaj gjykate përmes një ndryshimi kushtetues”.

“Ligjërisht është një gjykatë e Kosovës, por në thelb nuk është e tillë. Stafi i saj është ndërkombëtar. E krijuar fillimisht për t’u përqendruar në akuzat për trafikim organesh të përfshira në një raport të Këshillit të Evropës, ajo nuk gjeti prova për t’i mbështetur ato. Prandaj, në vend të kësaj, e ktheu vëmendjen te akuzat e inteligjencës serbe”.

Serwer thekson se disa nga akuzat kundër luftëtarëve të UÇK-së “janë pa dyshim të vërteta”. Por, ai nuk beson se Thaçi “kishte autoritet komandues mbi forcat që kryen krimet”.

“E di këtë jo vetëm sepse amerikanë që ishin në pozitë për ta ditur këtë dëshmuan në gjyqin e tij. Por edhe sepse, në një bisedë me të pas luftës, në prani të një luftëtari të UÇK-së, ai më tha se roli i tij ishte i kufizuar në atë të zëdhënësit politik të UÇK-së. Ai nuk ishte luftëtar apo komandant”.

Lirimet nga akuzat që iu ngarkoheshin Thaçit dhe të tjerëve nga Specialja, Serwer nuk ka asnjë dilemë se “nuk ishin kurrë pjesë e skenarit”.

“Evropianët shpenzuan 200 milionë euro për Dhomat e Specializuara. Serbia kishte ushtruar presion ndaj amerikanëve dhe evropianëve, duke pretenduar se ishte e padrejtë që ICTY kishte dënuar kryesisht serbë për krimet në Bosnje dhe Kosovë (ku ata, në të vërtetë, kishin kryer shumicën e krimeve)”.