Partia Demokratike e Kosovës i ka dhënë mbështetje protestës së thirrur nga Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që do të mbahet të hënën në Prishtinë kundër ekspozitës për masakrat.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh mbështetjen e saj për protestën e paralajmëruar për nesër nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së”, thuhet në komunikatën për media. 

Çdo përpjekje, theksojnë ata, për të shtrembëruar faktet, për të relativizuar krimet apo për të rishkruar historinë “është e papranueshme dhe duhet të kundërshtohet me vendosmëri”.

“Mbrojtja e së vërtetës për luftën tonë është një detyrim shtetëror dhe moral. Duke ruajtur të vërtetën, ne njëkohësisht nderojmë viktimat dhe sakrificën e tyre”. 

Kjo protestë, siç thonë nga kjo parti, është një “reagim i drejtë qytetar dhe kombëtar për mbrojtjen e dinjitetit të viktimave, të familjeve të tyre dhe të vlerave të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”.