Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë hequr dorë nga e drejta e tyre për shqyrtimet dymujore të paraburgimit.

Ky veprim i dyshes lidere të UÇK-së është marrë derisa Apeli i Speciales të marrë një vendim tjetër bazuar në një kërkesë paraprake për mbrojtje në liri.

“…ky vendim merret derisa Kolegjet e Gjykatës së Apelit të kenë dhënë vendimin e tyre mbi kërkesat e tyre përkatëse për apelim të vendimeve të Panelit për lirim të përkohshëm dhe shqyrtime periodike të paraburgimit”, thuhet në shkresën e lëshuar nga Specialja.

Deri sot Gjykata Speciale ua ka refuzuar 21 herë kërkesat për mbrojtje në liri krerëve të UÇK-së.

Nga nëntori i vitit 2020 e deri sot, gati pesë vjet pas, prokurorët e gjykatësit në Hagë kanë përdorur thuajse të njëjtat arsyetime për refuzimin e heqjes së masës së paraburgimit.

Ata kanë injoruar secilën garanci të ardhur, qoftë nga Policia e Kosovës qoftë nga shtete të tjera që udhës morën përsipër “t’i strehojnë” e të kujdesen për krerët e UÇK-së.