Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Bekim Kodraliu, ka treguar se deri më tani janë identifikuar shtatë raste të spiunazhit, pra persona që dyshohen se kanë qenë të rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë – BIA. Deri më tani për këto raste tha se janë katër aktgjykime dënuese.

Në një intervistë për Radio Televizionin Publik (RTK), Kodraliu theksoi se Prokuroria gjatë dy viteve të fundit ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës.

“Më konkretisht, deri më tani kemi shtatë raste të spiunazhit me disa persona të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e rekrutimit të strukturave nga Agjencia e Inteligjencës serbe (BIA)”, ka thënë Kodraliu për RTK-në.

“Më konkretisht, kemi dy aktgjykime dënuese të cilat veç janë të formës së prerë, respektivisht të të dënuarit Aleksandër Vlajiç, si dhe të të dënuarit tjetër Bojan Jevtiç, të cilët që të dy kanë pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ne kemi ofruar edhe prova konkrete”, tha ai.

Ai kujtoi se Vlajiç dhe Jevtiç kanë qenë zyrtarë të lartë në Policinë e Kosovës.

“Njëri ka qenë toger me gradë në Policinë e Kosovës, më konkretisht në pikën kufitare në Kamenicë, dhe tjetri ka qenë zyrtar i inteligjencës së policisë në pjesën e Veriut të Mitrovicës”, ka deklaruar Kodraliu.

Kjo ka qenë arsyeja, siç thotë ai, pse Prokuroria veproi urgjentisht për sigurimin e provave.

Ai foli edhe për rastin e Fatmir Shehollit, ku tha se i njëjti ka ofruar ndihmë për shërbimin sekret serb.

“Fatmir Sheholli ka ofruar ndihmë për shërbimin inteligjent serb, konkretisht për zyrtarin e lartë të BIA-s për kundërterrorizëm, Bojan Dimiq, në implementimin e një misioni me qëllim të dëmtimit të disa figurave politike në Kosovë. E, çka është më e rëndësishmja, dëmtimi është synuar të shkaktohet para zgjedhjeve që janë mbajtur në Kosovë”, potencoi ai.