Përveç ish-komandantit të UÇK-së, Haxhi Shalës, nga Gjykata Speciale janë liruar edhe ish-kreu i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, Bashkim Smakaj, si dhe Fadil Fazliu. Lirimi i tyre me kusht nga paraburgimi, vjen pasi “Gjykata konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit në dhjetor 2025 dhe se mbajtja e tyre në paraburgim nuk ishte më e arsyeshme apo proporcionale”.
Sipas Gjykatës, “ndonëse ekziston rreziku i pengimit të drejtësisë”, ata në këtë fazë duhet të lirohen.
“Gjykatësi mori parasysh gjithashtu se faza e paraqitjes së provave në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k. Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit tashmë ka përfunduar dhe se nuk ka gjasa që ndonjë veprim i mundshëm pengimi i tentuar nga z. Smakaj ose z. Fazliu të mos zbulohet. Gjykatësi konstatoi gjithashtu se nuk ka rrezik që z. Fazliu dhe z. Smakaj të arratisen, sidomos duke pasur parasysh shumën e dorëzanisë financiare të ofruar prej tyre, të cilën do ta humbisnin në rast se arratisen”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë të akuzuar për pengim të drejtësisë në rastin “12” bashkë me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjyqi ndaj tyre do të fillojë në fund të këtij muaji.









