Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se janë mbyllur dy ambulanca të Mjekësisë Familjare në dy fshatra të komunës që ai e udhëheqë, të cilat janë vendbanime me shumicë serbe.
Përmes një postimi në Facebook, Lushtaku ka njoftuar se këto dy ambulanca, një në fshatin Banjë dhe tjetra në Syriganë, kishin filluar të funksionojnë ilegalisht nën menaxhimin e strukturave paralele serbe.
“Pas pranimit të informatave dhe verifikimit të tyre, kam lëshuar urdhëresë për mbylljen e dy Ambulancave të Mjekësisë Familjare në dy vendbanimet me komunitetin joshumicë serb në Banjë dhe në Syriganë, të cilat kishin filluar të funksiononin ilegalisht nën menaxhimin e strukturave paralele serbe, jashtë rendit kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës”, shkroi Lushtaku.
Ai tregoi se ajo çfarë kanë gjetur në këto ambulanca është e papranueshme: “medikamente pa banderola dhe me afat të skaduar, përdorim i vulave dhe recetave mjekësore pa prezencën e mjekut dhe shumë shkelje të tjera që bien në kundërshtim me ligjet dhe protokollet shëndetësore”.
Kjo, thekson Lushtaku, përveçse shkelje ligjore “përbën rrezikim të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve”.
“Nuk do të lejojmë që askush të rrezikojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve duke vepruar jashtë sistemit dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe kemi njoftuar edhe autoritetet përkatëse përfshirë edhe Agjencinë e Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale”, potencon ai.
Kryetari i Skenderajt ka potencuar se këto dy ambulanca mund të rikthehen në funksion vetëm kur të integrohen plotësisht në sistemin shëndetësor të Kosovës dhe të zbatojnë pa asnjë kompromis Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, sepse, siç pohon ai, “vetëm në këtë formë mbrohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve pa dallim!”.









