Të bllokuar në një anije tregtare të ankoruar 7 kilometra larg bregdetit të Iranit, rreth 20 detarë tregtarë po hyjnë në muajin e tyre të katërt të jetesës nën vëzhgimin e rojave iraniane.

Irani e sekuestroi anijen, MSC Francesca, teksa ajo po përpiqej të kalonte përmes Ngushticës së Hormuzit më 22 prill.

Detarët e saj janë nga Mali i Zi, Indonezia, Filipinet dhe vende të tjera.

Të gjithë janë larg shtëpisë.

Ata nuk kanë asnjë ide se kur mund të lirohen dhe kanë shumë pak kontakt me botën e jashtme.

Detarët “nuk kanë asnjë mjet komunikimi përveç 30 minutave internet çdo disa ditë,” shkroi një person i njohur me kushtet në Francesca.

Anëtarët e ekuipazhit të Francesca-s janë një nëngrup i një grupi shumë më të madh detarësh të rrezikuar në Lindjen e Mesme. Sulmet nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli më 28 shkurt, të ndjekura nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, bllokuan menjëherë rreth 1,500 anije dhe afërsisht 20,000 detarë, sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare.

Shumë anije kanë lundruar jashtë Gjirit Persik, duke u shkeputur përmes ngushticës kur kushtet e kanë lejuar.

Rreth 6,000 detarë mbeten të bllokuar, sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare.

Ata jetojnë në rrezik, duke kryer mirëmbajtje, vëzhgime dhe kontrolle mbi ngarkesën, pa asnjë rrugë të sigurt për në shtëpi.

Irani ka zbatuar pretendimin e tij për kontroll mbi ngarkesën me sulme ndaj anijeve, duke nxitur hakmarrjen amerikane. Dhe konflikti është zgjeruar në të gjithë rajonin.

Rritmi i kalimeve përmes Ngushticës së Hormuzit së fundmi është ngadalësuar në pak më shumë se një duzinë në ditë, një pjesëz e vogël e mesatares së paraluftës prej rreth 130 anijesh në ditë.

Detarët civilë rrallëherë duhet të punojnë në vijën e parë të konfliktit të armatosur. Por kjo është ajo që u ka ndodhur këtyre detarëve në Lindjen e Mesme, herë pas here me pasojë vdekjeprurëse.

Që nga fillimi i luftës së Iranit, 17 detarë janë vrarë në 63 sulme rreth Ngushticës së Hormuzit. Shumica e vdekjeve kanë qenë rezultat i goditjeve iraniane, por tre detarë humbën jetën pasi Marina e SHBA-së goditi një anije në qershor. Milicia Houthi në Jemen ka synuar anijet në Detin e Kuq, dhe javën e kaluar, dy anije morën flakë pas një shpërthimi në një port egjiptian.

Francesca lundroi në Gjirin Persik më 22 shkurt.

Ajo është në pronësi të kompanisë MSC Mediterranean Shipping Company me seli në Gjenevë, kompania më e madhe e lundrimit me kontejnerë në botë.

Disa nga detarët e Francesca-s kishin hipur në anije javë më parë, sipas një liste të anëtarëve të ekuipazhit të shqyrtuar nga The New York Times. MSC nuk ka komentuar mbi rastin dhe nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

E themeluar në vitin 1970 nga Gianluigi Aponte, një kapiten anijeje italian, MSC sot ka më shumë se 1,000 anije kontejnerësh që transportojnë mallra nga një kontinent në tjetrin, duke lundruar në 300 rrugë tregtare.

Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt, të ndjekura nga mbyllja pothuajse e menjëhershme e Ngushticës së Hormuzit nga ana e Iranit, kanë lënë të bllokuar mijëra detarë. / The New York Times

Aponte, me një pasuri prej mbi 50 miliardë dollarësh sipas Bloomberg, vitin e kaluar ia kaloi pronësinë e MSC djalit dhe vajzës së tij, Diego dhe Alexa Aponte.

Në vitin 2022, MSC kaloi gjigantin danez Maersk për t’u bërë kompania më e madhe e transportit me kontejnerë pas një hovi gjatë epokës së pandemisë. E mbushur me para, kompania zgjeroi flotën dhe linjat e saj të biznesit, duke blerë spitale, porte dhe një kompani të trenave me shpejtësi të lartë në Itali.

Pavarësisht se ndodhej në një nga rajonet më me paqëndrueshmëri në botë, Ngushtica e Hormuzit kishte qenë një rrugë tregtare e ngarkuar, vendimtare dhe relativisht pa konflikte. Çdo muaj, mijëra anije kalonin përmes ngushticës, dhe një e pesta e furnizimit me naftë në botë varej prej saj. Kjo ka ndryshuar drastikisht. Sulmet nga Irani kanë shtyrë operatorët e anijeve të shmangin ngushticën.

Përfaqësuesit e detarëve kanë thënë se operatorët e anijeve nuk duhet të tentojnë kalimin derisa të jetë qartësisht e sigurt për ta bërë këtë.

“Tregtia është e rëndësishme, por ne nuk duhet të rrezikojmë jetën e njerëzve të pafajshëm”, tha në një intervistë Arsenio Dominguez, sekretari i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare Detare.

Francesca lundron nën flamurin detar të Panamasë, e cila ka udhëhequr negociatat për lirimin e anijes dhe ekuipazhit të saj, në përputhje me konventën detare.

“Ka pasur njëfarë përmirësimi”, tha më 21 korrik Ginette Testa, ambasadore e Panamasë në Organizatën Ndërkombëtare Detare. Ajo tha se nuk mund të komentonte më tej ose të jepte detaje që mund të komprometonin përpjekjet e vazhdueshme të negociatave.

Dy detarë, që të dy kroatë, janë liruar nga Francesca, sipas ministrisë së punëve të jashtme të Kroacisë. Një zëdhënës i qeverisë tha se nuk mund të komentonte më tej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Detarët në bordin e Francesca-s u trajtuan mirë dhe kishin qasje të mjaftueshme në ushqim, tha Romano Peric, një koordinator për sindikatën e detarëve kroatë, i cili ishte në kontakt të rregullt me familjet e dy kroatëve para lirimit të tyre. Në fillim, ata kishin qasje mjaft të rregullt në telefonat e tyre, por përdorimi u kufizua më vonë, tha ai.

Në Zvicër, ku e ka selinë MSC, “po përdoren kanalet diplomatike” për të siguruar lirimin e Francesca-s, tha javën e kaluar një zëdhënës i qeverisë zvicerane, Pierre-Alain Eltschinger, duke refuzuar të jepte më shumë detaje.

Në të njëjtën ditë kur Irani sekuestroi Francesca-n, ai mori një tjetër anije kontejnerësh, Epaminondas, e cila po mbahet në ujërat pranë Francesca-s, sipas të dhënave satelitore nga Tanker Trackers. Epaminondas është pjesë e flotës së MSC sipas një marrëveshjeje qiraje (leasing), dhe lundron nën flamurin detar të Liberisë.

Disa detarë nga Epaminondas janë liruar, sipas Departamentit të Punëtorëve Migrantë të Filipineve. Detarët filipinas iu nënshtruan vlerësimeve mjekësore dhe psikologjike “pas përvojës së tyre të vështirë,” tha departamenti në një deklaratë.

“Detarët ndihen plotësisht të braktisur, plotësisht të pambrojtur”, tha Mohamed Arrachedi, koordinatori i Federatës Ndërkombëtare të Punëtorëve të Transportit për botën arabe dhe Iranin, lidhur me detarët e bllokuar në Gjirin Persik. Ai shtoi se financat, gjumi dhe shëndeti i tyre mendor janë ndikuar nga kjo sprovë e vështirë.

Disa nga detarët e mbetur pezull në Gjirin Persik, me disponueshmëri të kufizuar ushqimi, thonë se hanë vetëm oriz dhe thjerrëza një herë në ditë, tha z. Arrachedi. Një detar tha se po flinte me rrobat e veshura në mënyrë që të mund të evakuohej lehtësisht nëse anija e tij goditej.

Anëtarët e ekuipazhit mund të kërkojnë të largohen nga anijet e tyre dhe të transportohen në portet afër për t’u dërguar me avion në shtëpi. Por evakuime të tilla janë të rralla, pjesërisht sepse kërkojnë bashkëpunimin e autoriteteve të imigracionit në vendet fqinje, tha Helen Sampson, një profesore në Universitetin e Cardiff-it, e cila ka studiuar kushtet e punës së detarëve.

Shumë anëtarë të ekuipazhit janë me kontrata afatshkurtra dhe mund të hezitojnë të refuzojnë një udhëtim të rrezikshëm nga frika se do të futen në listën e zezë nga punëdhënësit, tha znj. Sampson.

“Ata e dinë se nëse duket se shkaktojnë ndonjë lloj telashi në bord, nuk do të marrin një kontratë tjetër”, tha ajo. “Kështu që për një detar të kundërshtojë ose të kërkojë riatdhesim ndërsa është në anije, kjo pothuajse do të jetë fundi i karrierës së tij në det”.

Përpara se dy anijet e MSC të sekuestroheshin në prill, gati 30 anije kishin rënë tashmë pre e sulmeve, përfshirë, vetëm pak ditë më parë, një anije kontejnerësh në pronësi të rivalit francez të MSC, CMA CGM.

Fati i Francesca-s dhe Epaminondas-it mbetet i paqartë.

Natasha Brown, një zëdhënëse e Organizatës Ndërkombëtare Detare, tha të hënën se Francesca dhe Epaminondas mbetën në ujërat iraniane me detarët në bord.

“Diskutimet po vazhdojnë mes palëve përkatëse për lirimin e tyre, por ato ndërlikohen nga konflikti më i gjerë gjeopolitik”, tha ajo.

Pasi anijet u sekuestruan në prill, marina e Rojave të Revolucionit Iranian tha se dy anijet kishin udhëtuar “pa lejet e nevojshme”, sipas një deklarate të shpërndarë nga një agjenci e gjysmëzyrtare lajmesh iraniane. Deklarata thoshte se anijet me vela i ishin drejtuar bregdetit të Iranit. Sipas firmës detare Tanker Trackers, anijet mbeten në ujërat iraniane.