Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka deklaruar se në zgjedhjet komunale të mbajtura më 12 tetor nuk sheh ndonjë fitues të qartë në nivel partie, duke theksuar se rezultati tregon një “kthjellje” të votuesve nga politikat populiste.
Në një bisedë për VOX Kosova, Mustafa theksoi se qytetarët duket se kanë qenë më të kujdesshëm në vendimin e tyre dhe nuk janë udhëhequr nga premtimet e zhurmshme gjatë fushatës.
“Fitohet përshtypja se është një kthjellje e votuesve nga politikat populiste dhe premtimet e zhurmshme; se është vënë vota në peshojë para se të hidhet në kuti”, tha Mustafa.
Sipas ish-kryeministrit kosovar fitoren reale në këto zgjedhje e kanë shënuar vetëm kandidatët që arritën të fitojnë pa shkuar në balotazh, ndërsa procesi i balotazhit, sipas tij, po e cenon legjitimitetin e votës qytetare.
“Balotazhi gjithnjë e më tepër po e delegjitimon votën burimore qytetare, përmes pazareve politike. Më e drejtë do të ishte që në të ardhmen të rishqyrtohet balotazhi”, shtoi ai.
Deklaratat e Mustafës vijnë në një ditë pa zgjedhjeve lokale, derisa partitë politike janë duke analizuar rezultatet paraprake të zgjedhjeve dhe po përgatiten për raundin e dytë.
Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në 21 komuna kanë zgjedhur qysh në rundin e parë krerët e komunave, ndërkaq në 17 të tjerat do të zhvillohet rundi i balotazhit.
KQZ-ja tha se pret që brenda javës të përmbyllë numërimin e të gjitha votave, përkatësisht të asamblistëve, votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe me postë.









