Nisma Socialdemokrate ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re, pasi që Albin Kurti u mandatua për krijimin e ekzekutivit të ri nga Presidentja Vjosa Osmani para tri ditësh.

Këtë e ka konfirmuar deputetja e Nismës, Xhevaire Izmaku, në një prononcim për “Kosova Press”. Ajo ka thënë se partia e saj “ka një përgjegjshmëri politike dhe s’ka asnjë arsye mos me qenë në tavolinë të diskutimit me LVV-në”.

Nëse formimi i Qeverisë së re varet nga tri votat e Nismës, Izmaku ka deklaruar se “në raport me krijimin e institucioneve të reja nuk do të ketë kushte”.

Por, megjithatë ajo ka theksuar nevojën që të sqarohet pozita e Kryetarit të Kuvendit, pasi që, sipas saj, parlamenti “nuk duhet të funksionojë me një figurë e cila ka krijuar përçarje”, duke iu referuar punimit skandaloz të kreut të legjislativit, Dimal Basha, kundër UÇK-së.