Çfarë rastësie e çuditshme, që pikërisht shoku i ngushtë, i fëmijërisë së Hajrullah Çekut, Taulant Hoxha, është angazhuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës si Ekspert i Lartë për Politika Arsimore dhe Planifikim Strategjik, për periudhën kohore qershor-dhjetor 2026.
Çeku dhe Taulant Hoxha janë miq të kamotshëm. Por, i lidhë edhe angazhimi në shoqëri civile dikur.
Të dy kanë qenë drejtorë ekzekutivë të organizatës Ec Ma Ndryshe.
Nga Ec Ma Ndryshe, Hoxha kaloi te Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, KCSF, në vitin 2007.
Gjatë kohës kur ai ishte pjesë e KCSF-së, Ec Ma Ndryshe me drejtor Hajrullah Çekun përfitonte donacione nga KCSF-ja.
Kjo dëshmohet në raportet e pasqyrave financiare dhe raportet e auditorit të pavarur të Ec Ma Ndryshe të viteve 2015 dhe 2018.
Në vitin 2015, kur Çeku ishte drejtor, te lista e granteve figuron se Ec Ma Ndryshe ka përfituar mijëra euro nga KCSF-ja.
Mbështetja e KCSF-së për Ec Ma Ndryshe ka vazhduar edhe në vitet kur Çeku e la këtë organizatë.
VOX Kosova kontaktoi me Taulant Hoxhën, por ai, duke iu shmangur përgjigjeve në pyetjet konkrete, tentoi që të mbajë leksione për gazetari dhe i cilësoi pyetjet ofenduese.
“Me ba pyetje që unë e kam financu organizatën e Çekut është goxha ofenduese për nivelin intelektual të kujtdo që merret me këtë punë. Kështu që iu kisha udhëzu me ba pak ma shumë hulumtim edhe mandej me u ulë me folë çka të ka nevojë me krejt dëshirën”, tha Hoxha.
Nga Ministria e Arsimit kanë thënë se “Hoxha konsiderohet i domosdoshëm për të siguruar përmbylljen cilësore të Strategjisë Kombëtare për Arsim dhe mbështetjen e proceseve të tjera prioritare zhvillimore të Ministrisë”.
Sipas tyre, ai është i angazhuar në Ministrinë e Arsimit përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe UNDP-së.
Punësimet familjare, shoqërore e partiake, me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit kanë filluar të normalizohen. Për më tepër që pyetjet për to i konsiderojnë si ofendim. Nëse shoqëria e familja ishte për dasma, me Vetëvendosjen dasma është zhvendosur në institucione.








