Këto pamje që po shihni janë të vitit 2015. Këta janë shqiptarë të Kosovës që me autobus iknin me adresë të pa definuar largimi, por me bindje se kudo që të përfundojnë do gjejnë një jetë më të mirë se në Kosovë.
Gjendja përshkruhej e rëndë fort. Isa Mustafa ishte kryeministër dhe me verdikt të popullit ai ishte shpallur fajtori kujdestar për braktisjen e vendit nga qytetarët.
Me siguri pak kush do ta besonte po t’iu them unë tani se më shumë ka të larguar nga Kosova mes viteve 2021 e 2026, sesa mes viteve 2015 deri 2020.
Nëse krahasohen shifrat sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe merret projektimi për vitin 2026 si vit që nuk është mbyllur akoma, bëhet e qartë se më shumë ikin sot nga Kosova sesa atëherë kur ngjante se të gjithë po largohen.
Statistikat e Agjencisë zyrtare të shtetit të Kosovës dëshmojnë se nga viti 2015 e deri në vitin 2020, pra duke përfshirë edhe vitin 2020, nga Kosova janë larguar 179 mijë e 508 persona.
Shumë janë.
Por, nga viti 2021 e deri në vitin 2026, kur 2026-ta akoma nuk ka përfunduar, nga Kosova janë larguar rreth 196 mijë e 800 veta. Deri në fund të vitit me këtë trend aktual kalohet shifra prej 200 mijë vetave.
Të largohen 200 mijë veta nga një shtet me popullsi sa e Kosovës i bie që të zhduket krejtësisht një qytet i përafërt me Prishtinën që sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i fundit i popullsisë i ka 227 mijë banorë.
Por, këto të dhëna marrin fort kuptim nga një statistikë tjetër tejet e rëndësishme.
Ta krahasojmë pak vitin e zymtë 2015 me vitin e lulëzimit 2025.
Në vitin 2015 të dhënat zyrtare të Bankës Botërore tregojnë se Kosova kishte rritje ekonomike prej 5.9 për qind, derisa inflacioni ishte poshtë në shifra historike me veç 0.5 inflacion.
Kurse në vitin 2025 po sipas Bankës Botërore rritja ekonomike ishte veç
3.6 për qind e inflacioni 3.9 për qind.
Dhe për ta parë se 2025 nuk ishte veç një vit aksidental por trendi i Kosovës gjatë këtyre viteve marrim edhe projeksionin e rritjes ekonomike të vitit 2026, e cila prapë është veç 3.6, kurse inflacioni ka shkuar deri në 7.8 për qind e nganjëherë edhe më lartë, siç ishte viti 2022 me 14.2 për qind. Më i larti në Ballkan.
Derisa ekonomia nuk rritet as sa në vitin 2015, inflacioni shënon rritje historike.
Pra ekonomia nuk zhvillohet, derisa pasurisë që e kemi vazhdon t’i humbas vlera.
Kosova kurrë s’ka qenë më keq e thonë numrat. S’ka qenë më keq as në vitin 2015 që na përshkruhej si kolapsim total i shtetit, madje e kundërta. Nga krahasimi me të sotmen 2015-ta na del zhvillim.
Kosova në çdo parametër ekonomikԯ qëndron më keq se Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia.
E ka pagën mesatare më të ulëtën, fuqinë blerëse më të voglën, inflacionin më të lartin, pa punësinë më të madhen, prodhimin ekonomik më të ulëtin.
Por, siç e shihni sot flitet ndryshe.
Në vitin 2015, më të drejtë, gjendja e rënduar ishte aktakuzë kundër qeverisë me kritikë të qartë e sot fuqia e madhe propagandistike e partisë në pushtet, largimin masiv të qytetarëve na e prezanton si përzgjedhje personale e njerëzve për ta lënë Kosovën.
Pse një situatë si e vitit 2015 që siç po dëshmohet ishte më e lehtë se kjo sot, quhej tragjedi e tash na ofrohet si normalitet?
Mos e ka largu ky popull me autobus e avion edhe vetëdijen për të kërkuar llogari, siç bënim në vitin 2015?
Në anën tjetër, Albin Kurti pushtetin e ka marrë qe 6 vjet, po përgjegjësinë për pushtetin e tij kurrë. Pushtetin e do për veti, përgjegjësinë e do për tjerët.
Po nuk funksionon gjithmonë kështu se, siç po e shohim në Shqipëri, mohimi i llogaridhënies për një kohë të gjatë, sjellë një faturë finale të papërballueshme dhe më pas duhet ta paguash në kushte që ti si përcakton më po të tjerët për ty.








