Ardhja e diasporës është përmendur të jetë një prej faktorëve kryesor që ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve, në të cilat Vetëvendosje fitoi bindshëm me 49 për qind të votave.

Sipas të dhënave që VOX Kosova siguroi nga Policia e Kosovës, nga të gjitha pikat kufitare dhe nga Aeroporti i Prishtinës mbi 562 mijë persona hynë në Kosovë gjatë periudhës 20 deri 28 dhjetor.

Vetëm në ditën e zgjedhjeve hynë 55 mijë e 555 persona. Fluksi më i lartë u regjistrua më 22 dhjetor, kur në 24 orë u futën 94 mijë e 458 veta.

Ndërsa 25 dhjetor, tre ditë para zgjedhjeve, hynë 66 mijë persona.

Nga ana tjetër, gjatë periudhës 20–28 dhjetor nga Kosova dolën 399 mijë qytetarë. Në dy ditët pasuese, pas mbajtjes së zgjedhjeve, u regjistrua më shumë dalje sesa hyrje.

Më 29 dhe 30 dhjetor, 101 mijë qytetarë hynë në Kosovë, ndërsa 107 mijë dolën. Përveç në vendlindje, mërgata votoi edhe përmes përfaqësive diplomative dhe me postë – vota të cilat nuk janë numëruar ende.