Në fund të protestës gjithëpopullore, disa nga protestuesit kanë kaluar kordonin e Policisë dhe kanë dorëzuar te dera e Qeverisë kopje të ndryshimit ligjor për Gjykatën Speciale.

Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara ishte po ashtu ndër kërkesat kryesore të atyre që mbajtën fjalime në protestën e madhe.

Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshet e Prishtinës në protestën e organizuar nga iniciativa “Liria ka emër”, në ditën e 16-të pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Qytetarët, për çdo natë me radhë që nga dita e shpalljes së aktgjykimit, kanë protestuar në kërkim të drejtësisë për ta.

Katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar nga Gjykata Speciale me gjithsej 81 vite burgim.

25 vite për Hashim Thaçin, 25 për Jakup Krasniqin, 18 vite për Kadri Veselin dhe 13 vite për Rexhep Selimin.