Albin Kurti, kandidat i Vetëvendosjes për Kryeministër, ka vizituar kompaninë “Delfin LTD”, e cila, me lejen e Qeverisë së tij, u shiste qytetarëve të Kosovës peshk me krimba të llojit Anisakis, të cilët, siç kishin konstatuar institucionet vendore dhe ndërkombëtare, përbënin rrezik për shëndetin e njeriut.

Njoftimin për vizitën e Kurtit në kompaninë “Delfin LTD”, e ka bërë kandidati i VV-së për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Andin Hoti, përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, ku edhe ka bashkangjitur disa fotografi nga ky aktivitet elektoral.

“Synimi ynë është që në vitet vijuese bizneset si ‘Delfin LTD’ e shumë të tjera të jenë shtyllë e transformimit ekonomik duke nxitur ndërmarrësinë e suksesshme dhe investimet e qëndrueshme”, ka shkruar Hoti.

Më 25 shtator të këtij viti, VOX Kosova raportoi ekskluzivisht se me leje të Qeverisë, përkatësisht ish-Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, qytetarët konsumuan peshq me krimba.

Ndonëse disa instanca, përfshirë Inspektoratin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, komisionet e veçanta, ekspertët e BE-së e Gjykata kishin konstatuar se peshku me krimbin “Anisakis” është i rrezikshëm për konsum, AUV-i me “aminin” e Pecit kishte dhënë dritën e gjelbër që ky produkt të lëshohet në treg.

Video-raportimi i VOX Kosova i datë 25 shtator 2025