Ish-Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Presidentja Vjosa Osmani, që sa më parë ta shpallë datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Këto komente, Krasniqi i bëri në një konferencë për media pasi që i mandatuari i dytë për Kryeministër nga Vetëvendosja, Glauk Konjufca, dështoi që t’i marrë 61 votat e nevojshme për krijimin e Qeverisë së re.

“Sot s’ka mbetur të thuhet asgjë përveç që pas këtij dështimi të paralajmëruar presidentja e Republikës e ka obligim që sa më parë të shpallë datën e zgjedhjeve që të mos humbet kohë edhe më tej”, tha Krasniqi.

Në seancën e së mërkurës, Konjufca dhe kabineti që ai propozoi mori 56 vota për, 53 kundër dhe 4 abstenime.