Çka filloi si kusht i panegociueshëm, nevojë emergjente e domosdoshmëri e momentit, është kthyer në një dokument disafaqesh të mbuluar me shpjegime për procedurë.

Strategjia shtetërore për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së, që u kërkua nga opozita në Kosovë pas dënimit të padrejtë në Speciale, u shndërrua në një dokument me emrin grup punues, i cili përcakton aktorët, jo për të implementuar strategji tashmë të qartë të shtetit, por për të gjetur një strategji në paqartësi totale të situatës.

Paseriozitetin e pashoq të Qeverisë e tregon mungesa e më të rëndësishmes në këtë dokument. Asnjë cent i parashikuar për këtë punë. Për të cilën kryeministri arsyetohet me moskoqarje, se i takon buxhetit të vitit 2027.

Kryeministër, miratimi i buxhetit do të ndodhë dhe askush nuk të ndalon të parashikosh buxhet për diçka kaq jetike. Fundja, ju jeni ai që parashikoni buxhet edhe për pagën e 13-të, edhe për 100-shet e fundvitit.

Nga ana tjetër, po t’ia shohësh detyrat dhe përgjegjësitë e këtij grupi, të kujtohet thënia e Winston Churchill-it, që thoshte se: “Një komision është një grup njerëzish që veç e veç nuk mund të bëjnë asgjë, por bashkërisht mund të vendosin se asgjë nuk mund të bëhet.”

“Të hartojë… të identifikojë… të bashkëpunojë… të shqyrtojë… të propozojë…”

Të tilla, pra, janë detyrat dhe përgjegjësitë e grupit që pretendon të shpëtojë katërshen e UÇK-së në Hagë.

A e di kush renditet i dyti për nga rëndësia si vendimmarrës në këtë grup? Një përfaqësues i Ministrisë së Donika Gërvallës.

Ajo që s’e zë në gojë pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së, i quan të dënuar dhe, me të njëjtën fjali që flet për ta, thotë se ajo qëndron në anën e viktimave.

Pra, fiks një muaj pas dënimit me 81 vjet ndaj UÇK-së, na duhet të presim edhe një muaj tjetër që i ashtuquajturi grup punues të propozojë strategjinë që u proklamua si urgjente.

Përderisa, një muaj pas dënimit, sheshet që gufonin nga kërkesat për drejtësi tash janë të zbrazëta, pa qytetarë me ankesa, pa shqetësime të dukshme për dënimin e padrejtë, me njerëz që shpresat i kanë varur në strategjinë shtetërore, që akoma askush nuk e di çka saktësisht është.