Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, po përmendet si një nga emrat që Lëvizja Vetëvendosje mund ta propozojë për President të Kosovës.

Burime të Vox Kosova bëjnë të ditur se emri i tij është duke u shqyrtuar seriozisht nga partia e kryeministrit Albin Kurti, teksa afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit përfundon nesër.

Hoti, djali i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hoti, së fundmi është emëruar ministër në Qeverinë Kurti 3, ndërsa më parë ka drejtuar Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Ndërkohë, emri i Glauk Konjufcës, i përfolur dje si opsioni i preferuar i LVV-së, duket se ka rënë nga skenari aktual. Konjufca nuk ka pranuar të përfshihet në një proces që nuk garanton konsensus ndërmjet partive politike dhe pa një marrëveshje paraprake për kandidatin.