“Të dëgjosh para se të vendosësh, të bindësh e jo të imponosh, të bashkosh e jo të linçosh, janë parime fundamentale të funksionimit të LDK-së”, kështu i ka thënë Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pasi që ky i fundit kritikoi deputetët e LDK-së që bën të ditur se nuk do ta përkrahin Bekim Sejdiun për President.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti tha se “pa demokraci të brendshme, pa dialog, mirëkuptim dhe tolerancë, LDK-ja nuk është vetvetja!”.
“LDK-ja ka lindur nga demokracia, toleranca, bashkëpunimi dhe durimi. Prandaj, është koha që këto vlera të mos mbeten vetëm pjesë e historisë sonë, por të jenë udhërrëfyes i veprimit dhe funksionimit tonë sot”, shkroi ai.
Ahmeti tha se refuzon të linçohen ata që, sipas tij, e kanë mbajtur gjallë partinë në kohë të vështira, “ndërsa të përkëdhelen turistët politikë”.
“Flas nga brenda. Që nga themelimi e deri më sot, në të mirë e në sfida. Dhe pikërisht për këtë refuzoj që kaq lehtë të linçohen e të akuzohen ata që e kanë mbajtur gjallë LDK-në në ditët më të vështira, ndërsa të përkëdhelen turistët politikë”, shtoi ai.
“Kah kjo kulturë e fyerjeve, linçimeve dhe akuzave?”, pyet ai. “Kjo nuk është trashëgimi, as vlerë e jona”, shtoi ai.
Gjashtë deputetë të LDK-së – Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj e Kujtim Shala – i kanë bërë të ditur Abdixhikut në mbledhjen e Grupit Parlamentar të martën se nuk do ta mbështesin Sejdiun për President.
Pas kësaj, në një konferencë për media, Abdixhiku adresoi kritika në drejtim të këtyre gjashtë deputetëve.
Sejdiu u prezantua të hënën nga Kurti dhe Abdixhiku si kandidat i përbashkët për pozitën e të parit të shtetit.
Përveç gjashtë deputetëve të LDK-së, Sejdiu nuk është përkrahur as nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.
Në këto rrethana, Sejdiu nuk mund të zgjidhet President për shkak se Vetëvendosja me pjesën tjetër të deputetëve të LDK-së dhe ata të komuniteteve joshumicë joserb nuk i bëjnë 80 votat e nevojshme për të nisur procesi i votimit.









