Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv në ndërmarrjen Hidro-ekonomike “Ibër-Lepenc”, dhe Hysen Muzliukaj, ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, janë deklaruar sërish të pafajshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë në lidhje me akuzat për korrupsion që ia ngarkon Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, Mujka, së bashku me Hysen Muzliukaj, dyshohen se i shkaktuan dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbi 125 mijë euro.

Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e paraparë me nenin 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)”.

Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, pasi që në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi.