Avni Bytyçi, pjesë e mbrojtjes së Kadri Veselit, ka thënë se për dallim nga Kroacia, në Hagë, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka munguar prezenca e shtetit të Kosovës.

Të akuzuarit nga Dhomat e Specializuara, Bytyçi thekson se “kanë qenë jetimë në plotë kuptimin e fjalës”.

“Nuk e them këtë për të adresuar gishtin te askush. Arsyetimet e politikanëve se e kanë apo nuk e kanë votuar ligjin, nuk e tjetërsojnë obligimin që ka shteti i Kosovës karshi qytetarëve që ekstradohen jashtë vendit”, shkroi Bytyçi në Facebook.

Ai konsideron se është “momenti i fundit që Kosova si shtet të marrë përgjegjësi në këtë proces”.

“Çfarëdo lloji tendence për ta politizuar këtë çështje, përçarë e fajësuar njërën palë, është tendencë e fshehur për të mbështetur aktgjykimin skandaloz të Dhomave të Specializuara, që, në kundërshtim me çdo standard të drejtësisë, kanë vendosur që ta kriminalizojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për interesa politike të shteteve sponsorizuese të saj”.

Ai tregoi edhe se si kanë funksionuar ekipet e mbrojtjes në Hagë.

“E para, rregullat e gjykatës nuk lejojnë që katër të akuzuar të kenë një ekip. Për këtë arsye, secili i akuzuar e ka ekipin e vet”, tha Bytyçi, duke iu kundërpërgjigjur Kryeministrit Albin Kurti, i cili theksoi se të akuzuarit është dashur ta kenë një mbrojtje të përbashkët.

Kjo, theksoi ai, “nuk do të thotë që nuk kemi vepruar si një ekip”. “Nga procedura paraprake deri tek shpallja e aktgjykimit, ekipet mbrojtëse, edhe pse në letër të ndara, kanë ndërvepruar si një ekip”.

Postimi i plotë i Bytyçit:

Për të gjithë ata që dëshirojnë të dinë se si kanë funksionuar ekipet e mbrojtjes në Hagë.

E para, rregullat e gjykatës nuk lejojnë që katër të akuzuar të kenë një ekip. Për këtë arsye, secili i akuzuar e ka ekipin e vet.

Kjo NUK DO TË THOTË që nuk kemi vepruar si NJË EKIP.

Nga procedura paraprake deri tek shpallja e aktgjykimit, ekipet mbrojtëse, edhe pse në letër të ndara, kanë ndërvepruar si një ekip.

Pavarësisht çka ka ndodhur jashtë burgut të Hagës, vepruar e thënë. Ekipet nuk i kanë marrë parasysh. Për ekipin tonë, në parim e në veprim, tre të tjerë të akuzuar nuk kanë dalluar nga Kadri Veseli.

Në praktikë, ne i kemi koordinuar ndërveprimet, parashtresat, ankesat në procedura të rregullta edhe në instanca të tjera, si apel, suprem e Gjykatë Kushtetuese brenda Dhomave të Specializuara. Gjatë hetimeve, intervistimeve dhe strategjizimit jemi kujdesuar gjithmonë që veprimet tona të jenë të harmonizuara.

Ndërsa gjatë seancave dëgjimore, e sidomos të dëshmitarëve, ne jemi koordinuar. Në rast se ka ardhur një dëshmitar që e ka ngarkuar një të akuzuar, tre ekipet tjera jemi koncentruar që të atakojmë çështjet që janë të ndërlidhura me përgjegjësinë komanduese, NPK-në apo ndonjë dëshmi të veçantë. Kjo jo vetëm që e ka bërë që ekipet të jenë më efikase, po ka lejuar gjithmonë një ekip që të maksimalizojë kohën për të mbrojtur të akuzuarin në mënyrën më të mirë.

Në dallim prej Kroacisë, në Hagë ka munguar prezenca e shtetit të Kosovës. Besoni, nuk e tham për kritikë, por ky është realiteti. Të akuzuarit nga Dhomat e Specializuara kanë qenë jetimë në plotë kuptimin e fjalës.

Nuk e them këtë për të adresuar gishtin te askush. Arsyetimet e politikanëve se e kanë apo nuk e kanë votuar ligjin, nuk e tjetërsojnë obligimin që ka shteti i Kosovës karshi qytetarëve që ekstradohen jashtë vendit.

Është ndoshta momenti i fundit që Kosova si shtet të marrë përgjegjësi në këtë proces. Çfarëdo lloji tendence për ta politizuar këtë çështje, përçarë e fajësuar njërën palë, është tendencë e fshehur për të mbështetur aktgjykimin skandaloz të Dhomave të Specializuara, që, në kundërshtim me çdo standard të drejtësisë, kanë vendosur që ta kriminalizojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për interesa politike të shteteve sponsorizuese të saj.