Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka marrë shtatë vjet me vonesë vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompani serbe, duke theksuar se për shtatë vjet kanë përfituar tregtarët e energjisë.

Ajo ka thënë se Kryeministri Albin Kurti e ka ditur kush përfiton kur i ka thënë jo termocentralit që do të ndërtohej nga Contour Global, gazit amerikan përmes projektit të MCC-së dhe gazit të lëngshëm amerikan.

“Shtatë vjet me vonesë! Mos mendoni që Kurti & Co. nuk e kanë ditë kush përfiton e kush paguan, kur i kanë thënë JO: Termocentralit/ContourGlobalit, Gazit amerikan përmes projektit të MCC-së, Gazit të lëngshëm amerikan, së fundmi”, shkroi ajo në Facebook.

Bajrami theksoi se për shtatë vjet kanë përfituar tregtarët e energjisë, “e me gjasë, jo veç ata, por edhe këta që e kanë leju këtë gjendje”.

Tash me këtë vendim, Bajrami tha se Qeveria “na shiten si patriotë të kësaj dekade”.

“Po hajde, tregojuni qytetarëve ku kanë përfundu paratë e tyre: në fitime të majme për tregtarët e energjisë, për manipuluesit e tregut dhe ata që e kanë leju këtë gjendje”, tha deputetja e LDK-së.