Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrë edhe një zyrtar që ka pasur probleme me ligjin.

Bëhet fjalë për Hekuran Nikçin, i cili, si kryeinspektor i Inspektoratit të Punës, ishte arrestuar në mars të vitit 2025 nën dyshimin për tri vepra penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës dhe përdorim i paautorizuar i pasurisë.

I njëjti ishte përfshirë në një mori skandalesh gjatë kohës sa ushtronte këtë pozitë. Në një rast, Nikçi kishte qortuar kryeinspektorin e Mitrovicës, Nexhat Fazliu, pasi ky i fundit kishte ndihmuar Prokurorinë për të gjurmuar lidhjet kriminale të kompanisë së terroristit serb, Milan Radojiçiç.

Kësaj here, Nikçi i shkoi në zyrë Kurtit në cilësinë e kryesuesit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës u tha se në këtë takim u diskutua për mbrojtjen e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, çështjet e pazgjidhura pronësore dhe përmbylljen e mandatit të Agjencisë.

Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, vëmendje e veçantë në takim iu kushtua pronave të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden në Serbi dhe nevojës për identifikimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e të drejtave pronësore mbi to.

Në takim u diskutua edhe për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe institucionale që do të mundësonin përmbylljen e mandatit të AKP-së dhe bartjen e aseteve përkatëse në Fondin Sovran të Republikës së Kosovës.

Kujtojmë që, Nikçi ishte emëruar jashtëligjshëm nga Albin Kurti në cilësinë e Kryeinspektorit të Punës. Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kishin konstatuar zyrtarisht se emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës ishte i jashtëligjshëm, pasi për këtë pozitë duhej të shpallej konkurs publik, sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, dhe nuk mjaftonte vetëm një vendim emërimi.