Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për dyshimet për manipulim të njehsorëve elektrikë të KEDS-it. Në një komunikatë dërguar mediave, organi i akuzës ka bërë të ditur se ka autorizuar Policinë për grumbullimin e informatave në lidhje me çështjen në fjalë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se, lidhur me rastin e parregullsive të dyshuara në njehësorët elektrikë të KEDS-it, ekziston dyshimi se këta njehësorë nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar”, theksoi në njoftimin e saj Prokuroria.

Në këtë drejtim, dyshohet se është kryer vepra penale ‘’Mashtrimi’’.

Mediumi Nacionale para disa ditësh raportoi për devijimin e njehsorëve të energjisë elektrike, ku u tha se shumë qytetarë po dëmtohen pasi që të njëjtit nuk kalojnë në tarifën e ulët në orën 22:00, ashtu siç kishte vendosur Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Mostrat treguan se plotë njehsorë ishin prapa në kohë. Rrjedhimisht një konsumator ka shpenzuar energji elektrike duke menduar se është me tarifë të lirë, por si pasojë e defektit në njehsorë ata janë faturuar me çmime shumë më të larta.