Indiferencë dhe tallje kanë përjetuar sindikatat e punëtorëve, të arsimit, shëndetësisë dhe policisë me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje. Kërkesat e tyre për rritje pagash dhe kushte të tjera janë trajtuar si çështje politike nga vetë kreu i qeverisë, Albin Kurti, duke u tallur dhe ironizuar – që dikur, si opozitar, organizimin sindikal të punëtorëve e kishte një prej kryefjalëve të ligjerimit të tij politik.
Në vitin 2021, punëtorët shëndetësorë nisën një grevë për rritje pagash.
Albin Kurti komunikonte me ta nga distanca me tone politike, duke u përzier në pavarësinë e tyre dhe duke kërkuar ndryshime në kreun e sindikatave.
“Uroj që të ketë gjithandej ndryshime, pra siç po bëhen ndryshime në politikë, unë besoj që duhet të ketë ndryshime në çdo sferë të jetës shoqërore, profesionale, për shkak se jam i bindur që edhe punëtorët shëndetësorë, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk mjaftohen që për shumë e shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo që ata qofshin, apo kudo që ata janë”, tha Kurti.
Megjithatë, kjo ishte pak krahasuar me talljen publike nga foltorja e Kuvendit ndaj Kryetarit të Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharajt.
Kur mësimdhënësit hynë në grevë, Kurti në një seancë të Kuvendit imitonte me gjeste e zë kërkesën e Jasharajt.
“Kërkesa kaq partikulare as nuk mund të maskohet e as të zbulohet me shprehje, vëlla… Ndihmon vëlla, na ndihmo dalim prej krize si vëlla, ami 100 euro”, thoshte Kurti.
“Nuk mundesh me u sjellë me Qeverinë e Kosovës në mënyrë private”.
Vallës së talljes, ironisë dhe sulmeve i hyjnë edhe vartësit dhe deputetët e tij.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u përpoq asokohe të ironizonte me kërkesën e mësimdhënësve.
“Pyetja ime për SBASHK-un ka qenë pse pikërisht 100 euro, pse jo 300 ose 500 ose 80. Pse vetëm për punëtorët e arsimit e jo për punëtorët e tjerë? Ose pse për të gjithë punëtorët e arsimit njëjtë?”, tha Nagavci.
Kësaj i reaguan sindikatat.
“Nëse ju mendoni se kemi kërkuar pak dhe nuk e keni me tallje, atëherë si Ministre e tërë arsimit që je, kërko dhe realizo në Qeveri kërkesën tënde për 200 a 300 euro shtesë dhe ne do të jemi më të lumturit dhe do të ndjehemi krenarë me ty”, ishte përgjigjur kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Në një përplasje të çuditshme në një nga korridoret e Kuvendit të Kosovës, me Jasharajn ishte përplasur edhe Dimal Basha, tash kryetar i Kuvendit.
“I ke marrë fëmijët peng për 50 euro. Je i pasinqerët në kërkesat e tua. Pse i don ti 100 euro? Dinjitetin e ke kthyer në para. A ke punuar para luftës pa para, tash për 50 euro i ke marrë fëmijët peng. Po piskas se nuk merr vesh ti ndryshe”, dëgjohej Basha duke iu drejtuar Jasharajt.
Kurti, gjatë kësaj kohe, sindikatat madje i kishte quajtur si vegla të qeverive të kaluara.
“Bëhet fjalë për një inat ndaj qeverisë. Sindikalistëve të PAN-it, të cilëve u është ndalur sahati më 5 qershor 2015, dhe tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë duke e bërë grevën armë kundër qeverisë.”
Si asnjëherë më parë, para Qeverisë së Kosovës kishin protestuar me maska edhe policët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës.
Gjatë vitit 2023, disa herë ata dolën me kërkesat për rishikimin e kategorizimit të pagesës për rrezikshmërinë në punë. Ata kërkuan që shtesa për rrezikshmëri të jetë 50% e pagës së tyre bazë, e jo siç i ka përcaktuar Qeveria në shtatë kategori me vlera të ndryshme.
Mediat kishin raportuar se gjatë takimeve me ta, Kurti dhe qeveritarë të tjerë nuk kishin treguar sjellje korrekte.
Gjatë një takimi, Kurti u kishte thënë atyre se ajo çfarë bënë më 24 shtator, kur u përballën me terroristët serbë të udhëhequr nga Milan Radojiçiç, nuk përbën sukses të madh, meqë thjesht “i keni vrarë tre veta nga distanca me snajper”.
Më vonë, Kurti duket sikur u tall me ta, duke llogaritur si sukses investimin në pajisje policore, që në të vërtetë ishin pronë e shtetit.
“Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro”, shkruante Kurti në një status të tij.
Tash, kur Kosova po përgatitet për zgjedhje të reja nacionale pas një bllokade politike, protestat dhe kërkesat e punëtorëve rikthyer.
Të hënën reaguan minatorët për kushtet e rënda të punës nga mungesa e investimeve. Që ditë më vonë, punëtoret e Trafikut Urban në Prishtinë dhe operatorët privatë të kontraktuar po protestojnë për zhbllokimin e buxhetit të Prishtinës nga Qeveria, që do të mundësonte marrjen e pagave nga ana e tyre.
Kurti nuk e flet asnjë fjalë, por vetëm vartësi i tij, Ministri i Financave, Hekuran Murati me statuse në Facebook akuzon Komunën e Prishtinës për bllokadë.
Megjithatë, për Kurtin duket se gjithçka është në rregull. Para pak ditësh ai deklaroi se në Kosovë nuk ka krizë ekonomike, prandaj edhe nuk ka protesta:
“Në Kosovë nuk ka krizë ekonomike, prandaj edhe nuk ka protesta të qytetarëve”, deklaroi Kurti në Kuvend, kur dështoi të krijohej qeveria e deleguar nga ai për Kryeministër, Glauk Konjufca.









