Paneli i Gjyqtarëve në Gjykatën Speciale është tallur me krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur ka vendosur t’ua vazhdojë edhe për dy muaj paraburgimin.
Në vendimet e fundit për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin – Paneli, në një përpjekje për t’i vënë fasadë një procesi krejtësisht të çoroditur, ka shkruar kështu:
“Paneli pranon se z. Veseli ka qenë tashmë në paraburgim për një periudhë të konsiderueshme kohore, dhe gjykimi në këtë rast është i gjatë.
Paneli do të vazhdojë të monitorojë në çdo fazë të këtyre procedurave nëse vazhdimi i paraburgimit është i nevojshëm dhe i arsyeshëm.”
Ndërsa Paneli është i vetëdijshëm për pasojat serioze që sjell paraburgimi i zgjatur në mirëqenien psikologjike të të paraburgosurve, kjo nuk ndikon në gjetjet e tij se ekzistojnë ende rreziqe për pengimin e procedurës dhe kryerjen e krimeve të mëtejshme, të cilat nuk mund të zbuten në mënyrë të mjaftueshme përmes aplikimit të masave alternative të arsyeshme”.
Imagjinoni çfarë kontradiktash.
Paneli, që e ka në dorë drejtësinë, po pranon se nuk është respektuar parimi bazë i një gjykimi të drejtë: shqyrtimi në një afat sa më të shkurtër kohor.
Për më tepër, është plotësisht i vetëdijshëm për dëmin psikologjik ndaj të akuzuarve që ka shkaktuar mbyllja pesëvjeçare, por prapëseprapë vendos t’ua vazhdojë paraburgimin – dhe kjo në një kohë kur gjykimi po shkon drejt fundit.
Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në nëntor, bëjnë pesë vjet që janë të mbyllur në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Dy vjet e gjysmë janë mbajtur aty pa nisur fare gjykimi – një tregues i qartë se ata u morën pa qenë Prokuroria e përgatitur.
Për pesë vjet, ky Paneli dhe gjyqtari paraprak – i shpallur së fundi non grata nga SHBA-të – nuk kanë marrë parasysh as garancitë e dërguara nga Policia e Kosovës, e as nuk e kanë vlerësuar faktin se dy nga krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, katër muaj para se të paraburgoseshin, ishin njoftuar me aktakuzën dhe, bashkë me Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, u paraqitën vullnetarisht para Dhomave të Specializuara.
Çka e bën edhe më tallëse ndaj katër burrave – figura të rëndësishme të lirisë së Kosovës – është fjalia se “Paneli do të vazhdojë të monitorojë nëse vazhdimi i këtyre masave është i nevojshëm”.
Kjo është një farsë që tenton të balancojë qasjen, kur në anën tjetër, Paneli dhe gjyqtari paraprak patën pesë vjet kohë për të monitoruar dhe për të mos lejuar një proces kaq të gjatë e me kaq shumë shkelje. Ishte në dorën e tyre të vendosnin nëse mbrojtja do të bëhej në liri apo jo.
Përkundrazi, ata u bënë palë kundër krerëve të UÇK-së, duke lejuar Prokurorinë të manovrojë me rastin në çdo mënyrë.
Lejuan Prokurorinë të marrë dy vjet e gjysmë kohë për përgatitje, i dhanë dy vjet për gjykim, duke u ndihmuar edhe nga pyetjet e stërzgjatura e shpesh tendencioze nga vetë gjyqtarët.
Miratuan kufizime në vizita, pranuan pothuajse çdo provë të Prokurorisë pa proces verifikimi – përkundër dyshimeve të mëdha mbi to – dhe përkrahën pothuaj çdo kërkesë të Prokurorisë, duke refuzuar ato të mbrojtjes.
Për më tepër, administruan një proces në masën më të madhe të mbyllur për publikun.
Në vend që ky pranim i gjatësisë së procesit të shërbente si alarm për lirimin me kusht, ai po shndërrohet në justifikim për vazhdimin e paraburgimit deri në fund.
Paraburgimi kaq i gjatë nuk është më masë sigurie – por është, në vetvete, një dënim i heshtur.
Kjo qasje e Panelit është tregues i qartë i një farse speciale në dëm të katër qytetarëve të Kosovës. Është dëshmi e një filozofie të rrezikshme, kur gjykata, në mënyrë cinike, pranon shkeljet që ka bërë vetë, por i përdor ato në emër të drejtësisë.
Por një gjë mund të thuhet me siguri të plotë – atë që e tha edhe James Rubin në sallën e gjyqit:
“Kjo nuk është drejtësi.”








