Naim Bardiqi, deputet i Vetëvendosjes që u kap duke i dërguar mesazh një personi e duke i treguar se “do të votohet karate” për Presidentin, është ankuar se i është thyer privatësia pasi iu incizuan bisedat, pavarësisht se gjithçka ndodhi brenda hapësirave publike të Kuvendit.
“Ky është një komunikim me sarkazëm i bërë mes miqsh dhe s’ka të bëj me asgjë tjetër. Konsideroj që është edhe cenim i privatësisë ai vend është vend i punës për deputetin, prandaj mesazhet në privat nuk e konsideroj se janë për publikun. Kërkoj falje prej këtu. S’ka të bëj me asgjë ofenduese dhe asgjë”, tha Bardiqi.
Pavarësisht kësaj, Bardiqi e pranoi se mesazhi nënkuptonte se “edhe në mungesë të opozitës, deputetët do të votojnë”.
“E keni pa që është në thonjëza, e që nënkupton që edhe në mungesë të opozitës deputetët do të bëjnë votimin sipas rregullave dhe procedurave. E dëgjuat edhe tash kryeparlamentaren e cila gjithashtu e konfirmoi që vetëm një deputet ka kërkuar leje sipas vendimit të Kushtetueses”, tha Bardiqi në Kuvend.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentes, mbrëmë (e hënë, 27 prill) deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Naim Bardiqi është fotografuar duke komunikuar në telefon lidhur me zhvillimet në sallën e Kuvendit.
Sipas fotografisë së publikuar nga Ekonomia Online, në mesazhin e tij deputeti përdor shprehjen “karate”, duke lënë të kuptohet për mënyrën e zhvillimit të procesit të votimit, ndërsa përmend edhe mundësinë që çështja të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Po e zgjedhim ‘karate’, pastaj të shohim çfarë thotë Kushtetuesja”, thuhet në mesazhin e kapur nga kamera.








