Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për të premten në ora 11:00. Procesi i konstituimit të Kuvendit ka ngecur te nënkryetarët.
Kryetarja e rizgjedhur e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i kërkoi Listës Serbe që ta tërheqin fjalën e tyre që e përdorën gjatë propozimit të Slavko Simiç-it si nënkryetar të Kuvendit, ku thanë se e propozojnë “në emër të popullit serb”, por ata nuk e tërhoqën.
Më pas Haxhiu, e mbylli seancën dhe e shtyu për të premten.
“Rregullorja e Kuvendit parasheh saktë se cilat janë masat që duhet të ndërmerren ndaj depuetëve që përdorin gjuhë të tillë në Kuvendin e Kosovës. “Në takimin që pata me përfaqësuesit e partive politike, nuk pati dakordim për mënyrën e votimit për nënkryetarët e Kuvendit. Pra, nga ai takim, siç unë e kuptova, ishte e qartë që asnjë propozimi as propozimi i subjektit politik PDK, që ishte Vlora Çitaku, dhe në anën tjetër as propozimi i LDK-së që ishte Kujtim Shala, sikurse dhe Arbërie Nagavci e VV-së ngriti shqetësimet e njëjta me deklarimet e deputetit Simiç që janë jokushtetuese”, tha Haxhiu.
“Pra, është e qartë që nuk ka vota për propozimet e tyre për t’u zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit. Prandaj, konsideroj që duhet dakordim për këtë çështje dhe si rrjedhojë, seanca konstituive i vazhdon punimet të premten në ora 11:00”, shtoi ajo.
Vazhdimi i seancës konstituive filloi në ora 11:00. Fillimisht, me 62 vota pro Haxhiu u zgjodh Kryetare e Kuvendit, por procesi i konstituimit ngeci te zgjedhja e nënkryetarëve.









