Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se çmimi i derivateve në Kosovë mund të shënojë një rënie të lehtë në ditët në vijim.

Sipas saj, nëse vazhdon trendi i uljes së çmimit të importit të naftës, qytetarët mund të shohin një ulje prej vetëm 1 ose 2 centësh.

“Po flasim për 1 cent, 2 cent. Importi mbrëmë ka shënuar një rënie të vogël prej 1 centi në raport me ditët paraprake dhe, nëse vazhdon ky trend, uroj që çmimi të kthehet më poshtë”, ka deklaruar ajo.

Kusari-Lila tha se MINTI po shqyrton vazhdimin e masës që përcakton çmimin maksimal dhe marzhën e fitimit për tregtarët e derivateve, duke vlerësuar se kjo masë ka ndihmuar në zbutjen e rritjeve të menjëhershme të çmimeve.

Ajo shtoi se pa këtë masë, çmimi i naftës do të mund të ishte edhe më i lartë, sidomos gjatë sezonit veror kur rritet kërkesa.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se po shqyrtohet rishikimi i mënyrës së përcaktimit të çmimeve të derivateve, ndërsa paralajmëroi takim me përfaqësuesit e naftëtarëve, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar heqjen e kufizimit të marzhës së fitimit.