Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sërish po luan me zvarritje, ai po përdor strategjinë e njëjtë me hapa për krijimin e institucioneve duke shkuar në limite të afateve, ndonëse pikërisht për çështjen e Presidentit vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Takimet me Presidenten, pa dyshim që ne jemi në komunikim, edhe jemi takuar. Por, ta keni parasysh që ai do të jetë hapi i katërt. Ne, pas certifikimit të rezultateve dhe trajtimit të të gjitha ankesave të mundshme, kemi nevojë për tre hapa paraprakë. I pari është konstituimi i Kuvendit, i cili nënkupton zgjedhjen e Kryetarit apo Kryetares dhe të pesë nënkryetarëve, pastaj është formimi i Qeverisë dhe na duhet që menjëherë të fillojmë me vendimet për marrëveshjet ndërkombëtare”, kishte thënë Kurti më 30 janar 2025.

Ai ishte përsëritur sërish pasi që Kuvendi ishte konstituuar dhe ishte formuar Qeveria e re me të si Kryeministër.

“Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë mbrëmë, tash jemi në hapin e tretë votimi i buxhetit 2026 dhe i marrëveshjeve ndërkombëtare. Porsa të përfundohen këto, jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet e tjera politike, për çështjen e Presidentit”, kishte thënë Kurti më 12 shkurt 2026.

Por, strategjia e tij me hapa nuk kishte dhënë rezultat, pasi që Kosova kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat u mbajtën më 7 qershor.

Të njëjtën strategji, Kurti është duke e përdorur përsëri pas fitores në zgjedhje.

“Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja. Konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit, apo Presidentes”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë më 24 qershor.