Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe homologët e tij rus e kinez, Vladimir Putin dhe Xi Jinping, kanë publikuar një “deklaratë të përbashkët për paqe”, pas një takimi historik trepalësh, raporton BBC.

Tre liderët u takuan për 90 minuta në qytetin Shenzhen, në juglindje të Kinës, në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).

Ndonëse presidentët kanë zhvilluar më parë takime dypalëshe, kjo ishte hera e parë që ata u takuan në një format trepalësh.

Në deklaratën e përbashkët, ata thanë se “lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë”, si dhe njoftuan se vendet e tyre planifikojnë të rrisin prodhimin dhe furnizimin me naftë. Ata gjithashtu deklaruan se janë “të përkushtuar për reformimin e OKB-së”, në mënyrë që ajo t’u përgjigjet më me efektivitet sfidave globale.

Deklarata e së enjtes trajtoi edhe çështjen e imunitetit që gëzojnë zyrtarët shtetërorë, duke theksuar se “ata ranë dakord se Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe institucionet e tjera të ngjashme nuk duhet ta keqpërdorin juridiksionin e tyre”.

Gjatë qëndrimit në Kinë, Trump u takua edhe me Putin-in, para takimit trepalësh. Ky ishte takimi i tyre i parë që nga gushti i vitit 2025, ku Presidenti Amerikan e përshëndeti homologun rus duke e quajtur “mik”.

Trump zhvilloi gjithashtu një bisedë të veçantë me Xi Jinpingun, duke e përshkruar marrëdhënien mes tyre si “shumë të veçantë”.

Megjithatë, përtej atmosferës së ngrohtë dhe shkëmbimit të fjalëve miqësore, të tre liderët kishin objektiva dhe motive të ndryshme për këtë takim, shkruan BBC.

Deklaratat hyrëse të takimit trepalësh dhanë disa sinjale se cilat çështje do të diskutoheshin gjatë takimit me dyer të mbyllura.

Para se t’ua kalonte fjalën dy liderëve të tjerë, Xi tha se “ndërveprimi pozitiv mes fuqive të mëdha nuk është çështje zgjedhjeje, por një domosdoshmëri e pashmangshme”.

Putin më pas theksoi interesin e përbashkët për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe tha se në bisedime do të trajtoheshin edhe siguria ushqimore dhe ajo energjetike.

Kina zyrtarisht ka ruajtur neutralitetin që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Putin në vitin 2022, duke hedhur poshtë akuzat e Kievit dhe aleatëve të tij se ka mbështetur në mënyrë të tërthortë Moskën, përfshirë përmes eksportit të teknologjisë me përdorim të dyfishtë, e cila shfrytëzohet nga ushtria ruse, shkruan BBC.

Pekini gjithashtu ka bërë vazhdimisht thirrje për negociata dhe një zgjidhje politike, duke shmangur dënimin e agresionit rus.

Trump e përmbylli fjalën e tij duke thënë se presidentët e tri prej vendeve më të mëdha në botë kanë një “përgjegjësi të veçantë” për të ruajtur dialogun konstruktiv.

“Shumë shpesh, liderët e kaluar kanë shmangur bisedimet me shtetet me të cilat kishin mosmarrëveshje”, tha ai, duke shtuar: “Ne mendojmë të kundërtën”.

Trump iu referua kapaciteteve bërthamore të tri vendeve dhe tha se ato janë “në një pozitë unike për të diskutuar se si të zvogëlohet numri i armëve bërthamore në botë”.

Është “jetike” që ato të bashkëpunojnë për të “luftuar kërcënimin e përhapjes së armëve bërthamore në vendet e tjera të botës”, tha ai, duke shtuar: “Këtë po e bëjmë në Iran”.

“Ne nuk do ta lejojmë Iranin të ketë armë bërthamore”.

Trump më pas iu kthye çështjes së Ukrainës dhe tha se ai dhe Putin tashmë kishin zhvilluar një “diskutim të gjatë” për konfliktin atje.

Ai shtoi se Putini “dhe shpresoj edhe pala tjetër, dëshirojnë ta shohin fundin e kësaj lufte”.

Pas takimit trepalësh, Putini iu drejtua mediave dhe e përshkroi atë si një “kapitull të rëndësishëm në historinë e diplomacisë”.

Ai tha se Ukraina dhe Evropa ende nuk janë të gatshme të bëjnë kompromise për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, por shtoi se Rusia i ka ftuar përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Moskë, në mënyrë që të kuptojnë më mirë qëndrimin e Evropës.

Ndërsa bisedimet po zhvilloheshin në Kinë, madje edhe në kohën kur Putin po mbante konferencën për media dhe pretendonte se ishte i gatshëm për paqe, kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, po sulmohej nga dronët rusë.

Putin ka refuzuar vazhdimisht të gjitha ofertat e Ukrainës për armëpushim, duke këmbëngulur në kërkesat e tij maksimaliste, të cilat Kievi dhe aleatët e tij evropianë i konsiderojnë të barasvlershme me kapitullimin de facto të Ukrainës.

Në Shenzhen, lideri i Kremlinit gjithashtu u zotua për një kundërpërgjigje “shumë më të dhimbshme” ndaj sulmeve ukrainase në urën që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë, të pushtuar nga Rusia. Një sulm me raketa dhe dronë të martën shkatërroi pjesën qendrore të rrugës së kësaj ure.

Putin nuk përmendi pothuajse pesë vjetët e sulmeve ruse ndaj termocentraleve, urave dhe ndërtesave të banimit në Ukrainë.

Presidenti rus iu referua drejtpërdrejt edhe krahasimeve mes takimit të tij me Trump-in dhe Xi Jinping-un dhe Konferencës së Jaltës të vitit 1945, ku liderët e Bashkimit Sovjetik, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara u takuan drejt fundit të Luftës së Dytë Botërore.

“Në Jaltë askush nuk e ndau botën. Aty thjesht u kodifikuan realitetet që kishin lindur pas Luftës së Dytë Botërore. Sa u përket konflikteve të sotme, realitetet në terren do të duhet të pranohen”.

Kremlini publikoi një video ku Putin-i shihet duke u larguar nga vendi ku u mbajt samiti dhe duke u përshëndetur me Xi Jinping-un.

“Faleminderit për organizimin e këtij takimi”, tha Putin. “Nuk besoj se dikush e kishte pritur që gjithçka të shkonte kaq mirë”.

Presidenti kinez e përshkroi takimin me Putin-in dhe Trump-in si “pozitiv, konstruktiv dhe shumë produktiv”, raportoi televizioni shtetëror kinez CCTV, transmeton BBC.

Sipas tij, Xi rikujtoi “historinë e luftimit krah për krah gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ndërsa të tre liderët theksuan rëndësinë e “ruajtjes së paqes së arritur me aq shumë mund”.

Takimi trepalësh i së enjtes thuhet se ishte ide e Putin-it.

Disa gazeta ruse e cilësuan atë si një “fitore diplomatike”, pasi që nga pushtimi i Ukrainës në shkallë të plotë nga Rusia, shumë liderë perëndimorë ishin përpjekur ta izolonin atë.

Samiti shënoi gjithashtu herën e parë që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë që Putin mori pjesë në një tubim ndërkombëtar ku ishin të pranishëm edhe liderë nga vende të tilla si Kanadaja, Japonia dhe Australia.