Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée, ku i ka kërkuar mbështetje për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ndër të tjera, Kurti ka thënë se biseduan për mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Francës, për integrimin euroatlantik dhe për sigurinë në rajon. “Theksova rëndësinë e mbështetjes së Francës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, shkroi Kurti në Facebook.

“Franca ka qenë aleate e fuqishme e Kosovës që nga lufta jonë për çlirim dhe pavarësi dhe mbetet partnere e afërt dhe e rëndësishme e vendit tonë”.

“Shpreha gjithashtu vlerësimin tim për nismën e Presidentit Macron për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet që lidhen me përdorimin gjithnjë e më të madh të teknologjisë. Kjo çështje ishte në qendër të Forumit të Paqes në Paris këtë vit, ku Republika e Kosovës iu bashkua Deklaratës Politike të Samitit të Fëmijëve për mbrojtjen e mirëqenies, të drejtave dhe të ardhmes së brezave të rinj”.

Kosova dhe Franca, thekson ai, “do të vazhdojnë të punojnë së bashku për paqe, zhvillim ekonomik dhe një të ardhme të përbashkët evropiane”.