Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill, gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale, ka folur për takimin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, me ish-presidentin serb, Slobodan Millosheviç, në Beograd gjatë vitit 1988, të iniciuar nga diplomati amerikan Richard Holbrooke.

“Kur ambasadori Holbrooke shkoi në Prishtinë, shkova edhe unë me të dhe u ulëm me presidentin Rugova. Edhe pse nuk e kishim diskutuar më herët këtë çështje, ambasadori Holbrooke mendoi se do të ishte ide e mirë që Rugova të takohej me Millosheviçin në Beograd, sepse shpresonte që ky takim do të mund të zgjidhte shumë probleme. Duhet të them se unë isha më skeptik”, tha Hill.

Kur u pyet nëse takimi i Rugovës me Millosheviçin pati ndonjë ndikim në pozitën e Rugovës në shoqërinë shqiptare të Kosovës, diplomati amerikan theksoi se ky takim e dëmtoi ish-presidentin kosovar.

“Mendoj se ky takim e dëmtoi atë. E dëmtoi zotin Rugova. Prandaj kisha dyshime nëse do ta ndihmonte dhe vazhdova t’i kem ato dyshime edhe më pas, nëse vërtet e ndihmoi. Edhe ai vetë ishte shumë i shqetësuar nëse kjo ishte ide e mirë, por nuk donte të ndodhej në pozitën që, në takimin e tij të parë me ambasadorin Holbrooke, ta refuzonte propozimin e tij”.